Site icon Telegrafi

Kundërshtohet iniciativa e Thaçit për ndryshime në dy Kode penale të Kosovës (Video)

Tre vjet e gjysmë janë bërë prej kur ka hyrë në fuqi Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale të Kosovës.

Presidenti Hashim Thaçi, ka përmendur iniciativën për ndryshime në kode, pak pasi ka marrë detyrën e tij, raporton KTV.

Gatishmëri për të filluar me këto ndryshime, ka shprehur edhe Ministria e Drejtësisë. Derisa ende nuk kanë një propozim konkret për ndryshimet nga ana a presidentit, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi, thotë se edhe gjyqtarët po kanë vështirësi me Kodin Penal, ndërsa shton se do të fillohet me identifikimin e dispozitave që nevojitet të ndryshohen.

Por, pjesëtarë të shoqërisë civile, Kodin Penal dhe atë të procedurës penale, i vlerësojnë si kode bashkëkohore dhe në harmoni me praktikat ndërkombëtare. Sipas Ehat Miftarajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, numri i vogël i gjyqtarëve krahasuar me lëndët dhe mungesa e vullnetit për zbatimin e kodeve në fuqi, rezulton me mos-efikasitetin në luftimin e kriminalitetit.

Para amendamentimit të tyre, Miftaraj thotë se duhet analizuar dispozitat në fuqi. Gjatë hartimit të kodit, Miftaraj përmend se disa dispozita dallojnë varësisht nga gjuha, por kjo, sipas tij, përbën më shumë defekt teknik, e jo përmbajtjesor.

Gjithashtu, nga anëtarë të shoqërisë civile, vlerësohet si problematik edhe ndërrimi i shpeshtë i legjislacionit penal që rezulton me mos-ambientim të shpejtë të gjyqtarëve e prokurorëve me to.

Exit mobile version