Inicimi i plotësim ndryshimit të ligjit për importin e veturave, ku kërkohet heqja e kufizimit të vjetërsisë, ka ngjallur reagime dhe kundërshtime te Ministria e Infrastrukturës, shoqëria civile dhe përfaqësuesit e Odave Ekonomike në Kosovë.
Heqja e kufizimit për importin e veturave është vlerësuar i dëmshëm dhe me efekte negative qoftë për dëmtimin e ambientit, qoftë sigurisë në komunikacion, qoftë për shëndetin e njerëzve.
Avdi Kamerolli nga Ministria e Infrastrukturës, e ka quajtur të panevojshëm heqjen e kufizimit për importimin e veturave. Sepse kjo sipas tij do ta shndërronte Kosovën në varrezë masive të veturave të vjetra.
“Ndryshimi i neneve 44, 63 dhe 89 është i panevojshëm dhe i paarsyeshëm për Ministrinë e Infrastrukturës. Ndryshimet e propozuara krijojnë mundësi për çrregullim të tregut të importit të automjeteve të cilat janë në dëm të sigurisë në komunikacionin rrugor dhe shëndetit të qytetarëve në përgjithësi. Këto ndryshime ligjore Kosovën e shndërrojnë në varrezë të automjeteve të vjetra, të kalbura të cilat ndotin ambientin, ku siguria aktive dhe pasive është e mangët”, tha Kamerolli.
Kundër ka qenë edhe deputeti i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Bilall Sherifi, duke thënë se i kanë treguar iniciuesit se kjo duhet të shkohet tutje në bashkëpunim me Ministritë adekuate.
“Vazhdoj të mbetem pranë qëndrimit se kjo ose duhet të bëhet në bashkëpunim me Qeverinë të cilës i përkasim, ose duhet të kërkohet një kompromis mes sponsorizuesit dhe akterëve për të cilët ne kemi nevojë të dëgjojmë a është e zbatueshme apo nuk është, cilat janë efektet dhe cilat nuk janë efektet. Ne si deputet mund të mos i dimë të gjitha, po prandaj janë ata të cilët paguhen për këtë çështje. 1.05.50 Prandaj, mendoj që kjo nuk do të mbështetet në këtë fazë nga Nisma për faktin se e shoh që ende ka divergjencë dhe nuk pash që ka pasur një përpjekje për t’u harmonizuar me Ministrinë, i pash në llogore në pozicione të njëjta që kanë qenë para dy tri jave dhe pres që në të ardhmen nëse ka ndonjë harmonizim edhe pozicioni jonë mund të lëviz si përfaqësues të Nismës”, u shpreh Sherifi.
Përfaqësuesi i Odës Ekonomike Amerikane, Albion Gashi, ka thënë se ata janë kundër heqjes së kufizimit për importin e veturave, sepse jep ndikime negative në të gjitha aspektet.
“Nëse e marrim faktin alarmant i cili tregon se veturat kanë moshën mesatare që janë të regjistruara në Kosovë është rreth 18 vite, çdo ndikim pozitiv e gjeneruar në buxhetin e Kosovës do të mbipeshohej nga efektet e dëmshme që do i shkaktoheshin mjedisit dhe implikimeve tjera shëndetësore. OEA gjithashtu përkrah iniciativat e BE-së për përmirësimin e emetimit të gazrave sa i përket automjeteve të lehta dhe të rënda”, u shpreh ai.
Agron Demi nga Instituti GAP ka paraqitur statistika faktike se si ndikon negativisht heqja e kufizimit të importit të veturave.
“Në vitin 2010 mesatarja e veturave në qarkullim ka qenë 13.2 vite, në vitin 2011 menjëherë ka hipur në 15.9 ndërsa në vitin 2014 në 18.1. nëse e krahasojmë me BE-në në Kosovë qarkullojnë veturat 10 vjet me të vjetra se sa është mesatarja në BE. Përveç kësaj kur është hequr kufizimi në vitin 2011 kjo ka ndikuar negativisht edhe në aksidentet në komunikacion. Prej 18 mijë e 888 aksidenteve që kanë ndodhur në viti 2011, në vitin 2013 në bazë të dhënave të policisë kjo ka hipur në gati 20 mijë”, theksoi Demi.
Po ashtu është kundërshtuar edhe regjistrimi i automjetit nga blerësi ani pse vetura ka regjistrim. Përfaqësuesi i Shoqatës së Kontrolleve Teknike të automjeteve, ka kërkuar që të mos ndryshohet kjo pikë në ligjin bazik.
Kjo ka nervozuar deputeten e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila edhe ka thënë se kontrollet teknike kryhen pa e parë fare veturën.
“Kompania e sigurimit na ofron ‘makiato’ derisa vetura është e parkuar para kompanisë së sigurimit dhe kontrolla teknike e kryen pa e lëvizur veturën…unë kam qenë dëshmitare. Kjo ka ndodhur para katër pesë viteve, mua personalisht. Jepi shpjegimet pse po dalin me defekte të gjitha ato që shkojnë në rikontroll. Qe unë po tregoj se nuk do ta përkrah pikërisht për shkak se kjo është kërkesë e bizneseve, as grupi ynë parlamentar nuk e përkrah”, tha Bajrami.
Mirëpo, deputeti i cili ka iniciuar plotësim ndryshimin e këtij ligji, Mërgim Lushtaku, ka shpjeguar pse ka marrë këtë iniciativë. Ai tha se ka bërë një hulumtim përmes zyrës për hulumtime të Kuvendit, për çështjen e importimit të veturave në vendet e BE-së, ku nuk k fare kufizime me vite, por vetëm me standardet e kërkuara.
“Me fjalën vjetërsi kuptojmë një mjet që përdorëen me shumë që gjashtë muaj ose që ka udhëtuar me shumë se 6 mijë kilometra nga koha e blerjes. Në fakt i bie kjo që të gjitha veturat në Kosovë ose shumica janë të vjetra nuk janë të reja. Por sidoqoftë kam hulumtuar se a ka ndonjë kriter të importit të veturave në vendet e BE-së në aspektin e kohës ose vjetërsisë. Të gjitha kanë qenë të standardeve ekologjike dhe të sigurisë. Nuk ka standard të vjetërsisë që thuhet 10 vite, 15 vite, 20 vite, por ka të aspektit ambiental dhe të aspektit të sigurisë dhe ne besoj është mirë të bazohemi edhe ne në këtë hulumtim”, tha Lushtaku.
Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, është shprehur se për të marrë një vendim duhet të shikohen impakti tri drejtime, atë mjedisor, social dhe i sigurisë. Për të, euro 4 është jashtëzakonisht i qëlluar, pasi e adreson problemin ambiental, sepse lirimi i gazrave sipas standardeve euro4 janë të pranueshme në krejt Bashkimin Evropian.
Pas dëgjimit publik ky projektligj do të shqyrtohet në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, bashkë me amendamentet që do t’i dërgojnë të gjitha palët e interesuara. /KP/Telegrafi/