Telegrafi

Kundërshtime për pagesën e rregullatorit të ujit

Drejtori i Ujësjellësit “Prishtina”, Gjelosh Vataj ka kërkuar që autoritetit të rregullatorit të ujit t’i paguajnë taksën vjetore për licencim me 1 për qind në inkasim dhe jo 1.5 për qind të bruto faturim, pasi kjo nuk i ngarkon ata si ujësjellës por i ngarkon vet konsumatorët.

Ai këto komente i bëri në mbledhjen e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor, ku është diskutuar projektligji për veprimtaritë e ofruesve të shërbimeve të ujësjellësit, Ujërave të Ndotura dhe të Furnizuesve të Ujit me shumicë.
Gjelosh Vataj, drejtor i Ujësjellësit “Prishtina”, tha se kanë dy vërejtje sa i përket këtij projektligji, lidhur me taksat e autoritetit, ku thuhet ofruesi i shërbimeve i paguan autoritetit të rregullatori të ujit edhe taksën vjetore për licencim deri në 1.5 për qind të bruto faturimit dhe se kërkesa e tyre është që kjo të bëhet 1për qind në inkasim, pasi kjo nuk i ngarkon ata si ujësjellës por i ngarkon vet konsumatorët.

Ai tha se tjetra është tek neni 29 pika 3 ku thuhet shërbimi i ujësjellësit nuk shkyç jashtë orarit të punës apo në ditën e cila nuk është ditë pune. Kjo pikë sipas tij duhet të hiqet krejt pasi ujësjellësi ka 24 orë ditën të punës, përfshirë edhe vikendin e jo 8 orë. “Nga praktika jonë po iu them unë shumë shpesh kemi pas rezultate më të mëdha në inkasim, atëherë kur jemi dal pasdite, sepse nëse del prej orës 8 deri në orën 16 plot banesa ki bosh, nuk gjen njeri fare aty sepse janë nëpër puna edhe nuk ke mundësi mi taku. Ndërsa, nëse del pas këtij orari ke mundësinë mi taku”, tha ai.

Ndërsa, Raif Preteni drejtor i zyrës së ZRrUK-së, bëri me dije se aktualisht taksa e licencimit për kompanitë e licencuara nga zyra e rregullatorit është 1.28. Ai nënvizoi se mbron qëndrimin që duhet të lidhet me faturimin, pasi është përgjegjësi e kompanive që për faturimin të cilin e bëjnë duhet të punojnë shumë, si dhe të kenë shkallën e inkasimit sa më të madh, pasi në të kundërtën barabarësia e kompanive bie jo serioze dhe nuk janë të barabartë para ligjit.

“Sepse dikush punon natë e ditë edhe arrin 80 për qind shkallën e inkasimit, dikush 48 për qind, kurse taksën e licencimit i bien me paguar sipas shkallës së arkëtimit, por edhe sikur të bëhet 1 për qind, atëherë d.m.th automatikisht buxheti i zyrës së rregullatorit duhet me u ulë sepse aktualisht është 1.28 qarkullimi në bruto”, tha ai. /Telegrafi/