Site icon Telegrafi

Kundërpërgjigje e fortë: SHBA-ja demonstron forcën duke testuar bombarduesin me rreze të gjatë pranë Gadishullit Korean

SHBA-ja ka kryer një stërvitje të përbashkët me Korenë e Jugut dhe Japoninë, duke fluturuar një bombardues me rreze të gjatë në përgjigje të testit të fundit të Koresë së Veriut e cila testoi një raketë balistike ndërkontinentale.

Sipas ushtrisë së Koresë së Veriut, raketa balistike e Veriut Hwasong-19 ICBM synon të godasë territorin e SHBA-së.

Por, duke demonstruar vendosmërinë dhe dhe gatishmërinë e palëkundur të tre vendeve për t’iu përgjigjur programeve bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut, SHBA-ja fluturoi bombarduesin B-1B pranë Gadishullit Korean.

Bëhet e ditur se trajnimi ajror trepalësh ishte i dyti nga Koreja e Jugut, SHBA-ja dhe Japonia këtë vit, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

SHBA-ja shpesh i përgjigjet testeve të raketave të Koresë së Veriut me vendosje të përkohshme të disa prej aseteve të saj të fuqishme ushtarake si bombarduesit me rreze të gjatë, anijeve dhe nëndetëseve me energji bërthamore në dhe afër Gadishullit Korean.

Koreja e Veriut zakonisht përgjigjet me zemërim ndaj veprimeve të tilla të SHBA-së, duke i quajtur ato pjesë të një komploti për të pushtuar Veriun.

Ndryshe, SHBA-ja ka fluturuar bombarduesin B-1B mbi ose pranë Gadishullit Korean katër herë këtë vit, sipas ushtrisë së Koresë së Jugut.

Një B-1B është në gjendje të mbajë një ngarkesë të madhe armësh konvencionale. /Telegrafi/

Exit mobile version