Telegrafi

Kundërmimi i lumit Mat po ua nxinë jetën banorëve të “Kalabrisë” (Video)

Të rrallë janë ata banorë që në lagjen “Kalabria” në kryeqytet që i shfrytëzojnë ballkonet.

Kjo për shkak të kundërmimit të lumit Mat, i cili kalon pranë banesave të tyre në lagjen “Kalabria” në kryeqytet.

Era që lëshon ky lum, për shkak të derdhjes së ujërave të zeza në të, tashmë është bërë e padurueshme për banorët.

Ata kërkojnë nga komuna që të intervenojë sa më shpejtë, pasi aty kanë filluar të shfaqen edhe insekte të ndryshme.

E ky problem nuk është i ri për banorët e kësaj lagje, të cilët thonë se kanë vite që përballen me këtë problem, por për të cilin thonë se nuk është bërë asgjë.

Ndërkohë në komunë pohojnë se projekti për kolektorin për lumin Mat, që vjen nga lagjja me po të njëjtin emër, e që vazhdon deri në afërsi të Ujësjellësit në lagjen Kalabria, ku lidhet me lumin Prishtina, është vonuar për shkak të problemeve pronësore.

“Tani drejtoria e pronës ka arritur marrëveshje me disa pronarë për këmbimin e pronës. Tashmë dokumentacioni është dërguar në zyrën e prokurimit, dhe nëse gjithçka shkon siç duhet për 1 muaj e gjysme do ta kemi kontratën dhe fillojmë punimet. Por projekti është i madh, 2 milionë euro, dhe nuk mund të përfundohet i tëri sivjet, do të zhvillohet në faza, në fillim do të rregullojmë pjesët e banuara”, ka thënë Hysen Durmishi, Drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës.

Durimishi shpreson që i tërë projekti për rregullimin e kolektorit mbi lumin Mat të përfundojë vitin e ardhshëm.