Site icon Telegrafi

Kundër ISIS-it apo Assadit?

Lajmet e këqija nga zona e luftimeve në anën siriane të kufirit të përbashkët me Turqinë po bëhen për këtë të fundit gjithnjë e më dramatike. Ofensiva e milicëve të terrorit të Shtetit Islamik (ISIS) në qytetin siriano-kurd, Kobane, në afërsi me Turqinë, nuk ka mundur të ndalet ende. Edhe nga zona të tjera të Sirisë, si dhe nga veriu i Irakut, nuk reshtin lajmet e këqija për sukseset e tjera të ISIS-it.

Sot Parlamenti vendos nëse ushtrisë turke do t’i lejohet të kryejë operacione përtej kufirit, në territorin sirian, si dhe në atë irakian. Përveç kësaj, do të vendoset edhe për shfrytëzimin e territorit shtetëror turk nga forcat e huaja ushtarake në luftë kundër ISIS. Por, hyrja në territorin sirian pa një leje zyrtare nga Damasku mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë Turqisë dhe aleatëve të saj nën drejtimin e SHBA-ve.

Regjimi i Assadit dridhet gjithashtu nga ISIS-i dhe për këtë arsye duhet të gëzohej për çdo mbështetje në luftën kundër milicëve të terrorit. Për më tepër edhe për faktin se armiku i ri i përbashkët premton një zbutje të kursit të ashpër të perëndimit kundër Assadit. Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë miratim nga regjimi i Assadit për operacionet ushtarake në territorin e tij. Por, thjesht të hynin brenda e të luftonin kundër ISIS-it, këtë turqit, amerikanët dhe aleatët e tyre nuk duhet ta bënin kurrsesi. Kjo nga Damasku mund të merrej si "shpallje lufte" me pasoja të paparashikuara.

Nga ana tjetër, as Turqia dhe as SHBA-të nuk duhet t’i varin veprimet e tyre të ardhshme nga pëlqimi i diktatorit Assad. Rrugëdalja nga kjo situatë e ndërlikuar mund të ishte vetëm një mandat i OKB-së me një bazë sa më të gjerë, me aprovimin e Rusisë dhe Kinës, si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.

Për situatën e vështirë, në të cilën gjendet sot, Turqia në pjesën më të madhe është vetë përgjegjëse. Ajo bëri gjithçka për rrëzimin e shpejtë të Assadit. Duke mbështetur në mënyrë të pakujdesshme çdo opozitë kundër despotit, ajo forcoi edhe fundamentalistët brutalë islamikë.

Dyshimi se grupe të mëdha të ISIS-it mund të kenë krijuar fole edhe në Turqi, duke krijuar shumë celula terroriste, e ka tronditur shoqërinë duke shkaktuar frikë masive.
 

Exit mobile version