Site icon Telegrafi

Kumti për harresë!

Në gjendje të shëndoshë, e kaluara asnjëherë nuk mund të harrohet, ngaqë rrënjët i ka në thellësinë e kujtesës.

Etjen për ujë nuk mund ta shuajmë përmes shuarjes së kërkesës për ujë, sepse nuk jemi ne ata që kërkojmë ujë, por vetë metabolizmi ynë. Ngjashëm më tingëllon edhe kumti i atyre që për hir të sotmes dhe të nesërmes më të ndritur, pandehin si nevojë të menjëhershme, fshirjen e disa ngjarjeve të cilët natyrshëm janë strukur në trurin tonë, megjithëqë dikur cilësoheshin si ndritje të idealit tonë kombëtar.

Thuhet se kështu kishte ndodhur ndërmjet japonezëve dhe amerikanëve, gjermanëve dhe francezëve, gjermanëve dhe rusëve, izraelitëve dhe gjermanëve, turqve dhe rusëve, shqiptarëve dhe italianëve e shumë armiqve të tjerë, të cilët për hir të një interesi të caktuar i kishin flakur armiqësitë e skajshme ndërmjet tyre. Armiqtë e dikurshëm sot i shohim seç bashkëpunojnë në fusha të ndryshme. Thuajse nuk ka ndodhur asgjë. Vërtet është kështu, por pëshpëritësit e kësaj dashamirësie përrallore, asnjëherë nuk arritën të shohin përtej buzëqeshjeve të rreme.

Përmes kësaj panorame të bukur në pamje të jashtme, neve po na kumtohet në formë urdhëri, që këta t’i imitojmë në brendësinë e ndërgjegjes së tyre. Pastaj dalin dokrrat e bukuroshëve tanë, gjoja se ky bashkëpunim vëllazëror në dukje, nuk do të ishte i mundur në praninë e kujtesës, ashtu sikur një muzikë e vjetër që me pahir mund ta dëgjojmë sot, do të na i ngjallte kujtimet që rrëfejnë vuajtje a gëzime në kohën kur ajo melodi ishte bërë lehtas bashkëpronare e ndjenjave tona. Kjo e argumenton edhe atë se njeriu mund të mënjanon për një kohë diçka në trurin e tij, por assesi të harron.

Ndonjëherë edhe ne habitemi se si na shfaqet për një çast një fotografi e para njëzet vjetëve, gjë që dëshmohet se kurrgjë nuk mund të harrohet prej përjetimeve në këtë ecejake të kësaj bote, porse vetëdija jonë si lajmëruese e fondit të njohurive tona, nuk arrin gjithherë dhe në çdo kohë të na tregojë se çfarë kemi dhe çfarë nuk kemi në trurin tonë. Kështu që, nëse lemerisemi prej asaj melodie, atëherë me vrik duhet t’i vendosim duart fort në organet e dëgjimit, për të parandaluar kështu llavën që mund të shpërthej furishëm, pasojë e së cilës është vetë kujtimi ynë i harruar për një kohë të caktuar.

Thuhet se mbyllja e disa plagëve nuk mund të jetësohet përderisa brenda organizmit tonë, vazhdon të jetë në vullnet të mirë kujtesa që si bëhet vonë të rrëfejë për çdo hollësi të jetës sonë. Ndaj për t’i mbyllur plagët, qenka e nevojshmi t’ia hapim dritaret që të shporret sa më parë kjo grindavece – kujtesa, që merret me historinë e atyre plagëve, sepse sot natyrshmëria e mjekimit të plagëve po kërkuaka që shkaktarin e kësaj tragjedie ta shndërrojë në mjek të këtij padurimi. Në rregull, ja po e largojmë pjesëzën e kujtesës që me bezdi rrëfen hollësira që i përkasin të kaluarës!

Nuk isha aq i vetëdijshëm se nëpër dritaret që iku pjesëza e kujtesës, do të futej harresa me gjithë perandorinë e saj, mbase edhe pak ajo kujtesë që na kishte mbetur, pas atij pushtimi të egër, do të bëhej kruspull dhe fare nuk do të buçiste prej atij skaji të harruar edhe prej vetë qenies sonë.

Pas këtij pushtimi të së keqes, arritëm t’i harrojmë plagët e pashëruara, nuk kishte ndonjë rëndësi tashmë mjekimi i tyre, me rëndësi ishte që ne përmes perandorisë së harresës arritëm t’i harrojmë pjesët e gjymtuar. Tashmë sikur nëpër mjegulla më kujtohet emri im, për gjenezën time shumë pak di, luftërat çlirimtare thuajse tërësisht i kam harruar, kam filluar me vetëdije jo aq të plotë t’i dua të gjithë, pavarësisht se disa nuk po e flasin gjuhën e njëjtë me timen. Më krijohet përshtypja se kam lindur sot, ani pse di të flas, këtë mund ta kem mësuar përmendësh në botën e barkut të nënës. Ajo që më bën të mos ndihem mirë, është fakti se për adresën e shtëpisë sime, përgjatë rrugës duhet t’i pyes të tjerët, ngaqë kjo perandori e së keqes që qeverisë me qenien time më krijoi shumë telashe, mbase kujtesës sime as që i dëgjohet zëri, apo ndoshta ajo flet, por unë kam problem me shqisat e të dëgjuarit.

Kalojnë ditët dhe unë prapë arrij ta ushqejë kujtesën, sepse çdo çast i kaluar qenka ushqim i saj, mbase qenka në natyrën e qenies sime të merrem edhe me të djeshmen. Për harresën më vjen keq, ajo mund të më pushtoj dhe unë pastaj të filloj nga e para, por muzgu i të sotmes, i ngjiti disa ngjarje në shtratin e kujtesës dhe nga dita në ditë, fronin në organizmin tim prapë pritet ta merr kujtesa, sepse e drejta qenka në anën e saj. Sa do që zëri i kujtesës të jetë i mekur, vetëm një melodi e vjetër e dëgjuar sot, do të bëj që kumtuesi për harresë të trishtohet prore. Kështu mund të kenë vepruar edhe të armiqësuarit e dikurshëm të lartpërmendur dhe ne nga mosdija tentuam që veprimet e tyre të jashtme prej artisti t’i ngulisin në brendësinë e dëlir të qenies sonë.

E kaluara nuk mund të harrohet përmes kumtesave të atyre që duan të harrojnë. Tentimi për degdisjen e ngjarjeve të viteve 1998/99, 2000 dhe 2001 nëpër sirtarët e harresës, nuk mund të ndodh asnjëherë, të paktën derisa janë gjallë ata që ishin aktor të drejtpërdrejtë në ato ngjarjeje. Ndërsa spektatorëve që lexonin romane me subjekt dashurie brigjeve të detit, u themi ju keni të drejt ta harroni një vargan të ngjarjeve të atilla, sepse me këtë, do të harroni një turp tuajin, edhe pse një gjë të tillë vështirë se mund ta bëni, sepse ajo ngjarje është strukur pa lejen tuaj në qenien që nuk udhëhiqet tërësisht prej juve. Mbase ju mund vetëm të paraqiteni me pamje të jashtme gjoja se i keni harruar ato ngjarjeje, porse rrudhat në ballë një gjë të tillë e hedhin poshtë, sepse ato nuk dolën sheshit sot, por janë produkt i një të kaluare të përzier me ngazëllime dhe ngashërime.

Exit mobile version