Udhëheqësja e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, Nesrete Kumnova, ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës, ndaj Veljko Odaloviqit, i cili gjatë kohës së luftës mbante pozitën e kryetarit të Qarkut të Kosovës.
Kumnova po ashtu ka njoftuar se Veljko Odaloviq aktualisht mban pozitën e kryetarit të Komisionit të Qeverisë së Serbisë për persona të zhdukur, transmeton Telegrafi.
“Veljko Odaloviq, që gjatë luftës në Kosovë ishte kryetar i Qarkut të Kosovës dhe aktualisht mban pozitën e kryetarit të Komisionit të Qeverisë së Serbisë për persona të zhdukur, dyshohet se është i përfshirë dhe mbanë përgjegjësi komanduese për kryerjen e veprave penale të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.
Në reagimin e bërë, ajo ka shkruar se Odaloviq duhet të jep përgjegjësi për krimet e kryera në Kosovë.
“Veljko Odaloviq duhet të jep përgjigje për krimet e kryera nga forcat e Serbisë gjatë luftës në Kosovë e jo të mbajë përgjegjësi për zbardhjen e tyre”, thekson ajo. /Telegrafi/