Telegrafi

Kumbulla i pafat, lëndimi me Shqipërinë bën që mbrojtësi ta humbë sezonin me Romën

Marash Kumbulla ka mbetur i lënduar në ndeshjen mes Andorrës dhe Shqipërisë që përfundoi 0-1 në të mirë të kuqezinjve.

Fillimisht u mësu se ai lëndim që në pamje të parë dukej i lehtë, tashmë do ta detyrojë që të mbyllë para kohe sezonin.

Kumbulla vendosi të luante me dhimbje deri në fund duelin ndaj Andorrës, për të ndihmuar Shqipërinë që të merrte tri pikët.

Por pas ndeshjes filluan shqetësimet në gjurin e djathtë dhe duke parë se e kishte të pamundur të vazhdonte me stërvitjet, u vendos largimi nga grumbullimi i kuqezinjve dhe kthimi i tij në Romë.

Pas vizitave që u kryen atje, u konstatua se ai kishte dëmtuar meniskun e jashtëm të gjurit të djathtë, një lajm me të vërtetë i keq pasi do të detyrohet t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale.

Kështu, ai do të qëndrojë jashtë fushave të lojës për të paktën tre muaj, duke mbyllur para kohe sezonin e tij me Romën e sigurisht edhe me përfaqësuesen shqiptare.

Ky është një lajm jashtëzakonisht i keq për Romën, ku për momentin jashtë për shkak të lëndimit mbetet edhe Chris Smalling. /Telegrafi/