Telegrafi

Kumarxhinjve u ngushtohet hapësira

Në një njoftim për media thuhet se Drejtorati i Lojërave të Fatit të ATK-së me asistim të Policisë së Kosovës – Njësia e Krimeve Ekonomike, Inspektoriatit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Inspektoriatit Komunal të Ferizajt, kanë zhvilluar aksionin për mbylljen e subjekteve të pa licencuara që merren me Lojërave të Fatit në Regjionin e Ferizajt, ku përfshihen Komuna e Ferizajt, Kaçanikut, Shtimes, si dhe Komuna e Shtërpcës.

“Si rezultat i këtij aksioni është realizuar mbyllja e 26 subjekteve të Lojërave të Fatit në Regjionin e Ferizajt dhe nga ana e Policisë, janë konfiskuar aparatura të ndryshme”, thuhen në njoftim.

Sipas zyrtarëve të ASTK-së aktivitetet e tilla të planifikuara dhe të koordinuara në mes ATK-së, Policisë së Kosovës, MTI-së, dhe Inspektoriatit Komunal, janë planifikuar të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Administrata Tatimore e Kosovës, është e përkushtuar dhe e palëkundur në qëndrimet e saj në zbatimin e plotë të Ligjit për Lojërat e Fatit, me të vetmin qëllim vënien e rendit dhe rregullit të plotë në këtë kategori të subjekteve ekonomike. /Telegrafi/