Fazli Osmani, Musadik Pajaziti, Ragmi Latifi, Seadudin Abdullahu, Elham Arifi, Ibrahim Murtezani, Ebib Alii dhe Besnik Bajrami, kanë mohuar aktakuzën e Prokurorisë Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, e cila ua vë për barrë veprën terrorizëm dhe organizim terrorist, raporton Portalb.
Në aktakuzë të lartpërmendurit akuzohen si logjistikë për rastin “Lagjja e Trimave- Kumanovë”.
“U janë caktuar detyra nga organizata e grupit. Ndërkaq të akuzuarit që janë këtu si pjesë të grupit kanë pasur detyra, me ç’rast të njëjtit i kanë siguruar grupit mbështetje logjistike. U kanë ndihmuar ta kalojnë kufirin, akomodim nëpër shtëpi, sigurimin e ushqimit… Me vetëdije i kanë ndihmuar grupit”, tha prokurori publik Naum Panovski.
Pala mbrojtëse e ka cilësuar aktakuzën e Prokurorisë Publike si të pabazë, dhe si e tillë nuk mund të qëndrojë.
“Në këtë aktakuzë nuk ka dëshmi materiale apo verbale me të cilën mund ta dëshmon Prokuroria se këta persona janë të involvuar në rastin konkret. Prokuroria “shkel e shko” e ka bërë këtë punë. Nuk i ka marr as provat e propozuara nga ana e mbrojtjes. Është e paraparë në mënyrë decidive në nenin 133 pika 2 se mbrojtja ka të drejtë të propozojë prova në këtë seancë, prova që i ka ndërmend t’i nxjerr gjatë seancës kryesore. Në këtë rast Gjykata refuzon dhe nuk i evidenton refuzimet në procesverbal, çka është më e keqe. Këta persona janë të pafajshëm, këta nuk janë absolutisht të përzier në rastin e Kumanovës apo Gushincës”, është shprehur avokatja mbrojtëse Artene Ademi.
Edhe për avokatin mbrojtës Goran Karlinski kjo aktakuzë është e paqartë.
“Aktakuza është e paqartë dhe gjykata nuk mund të veprojë në bazë të kësaj aktakuze e as mbrojtja të mbrohet nga kjo aktakuzë. Propozojë që gjykata të mos e pranojë të njëjtën dhe ta refuzojë si të tillë”, tha Karlinski. /Telegrafi/