Telegrafi

Kulusevski do të mungojë një javë pas ndërhyrjes kirurgjike për sinusit

(Foto: Instagram/dejan.k10)

Anësori i Juventusit, Dejan Kulusevski, i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjike për një sinusit dhe ka nevojë për së paku një javë pushim.

Sipas Sky Sport Italia, futbollisti i Bianconerëve është operuar mëngjesin e sotëm (e martë) për të zgjidhur një sinusit akut me origjinë odontogjene.

Kjo do të thotë se 21-vjeçari do të mungojë në ndeshjen e nesërme (e mërkurë) të Ligës së Kampionëve kundër Malmos.

(Foto: Instagram/dejan.k10)

Po ashtu, ai nuk do të udhëtojë në takimin e fundjavës kundër Venezias në kampionatin italian.


Sinusiti është inflamacion i sinuseve që mund të shkaktojë bllokimin e tyre dhe mbushjen me përmbajtje të lëngshme. Zakonisht shkaktohet nga ftohja ose alergjitë. Si pasojë e bllokimit mund të ndodhë zhvillimi i infeksionit.

Sinuset janë zgavra të çiftëzuara në kokë që janë të lidhura me kanale të ngushta. Sinuset prodhojnë mukus të hollë që rrjedh nga kanalet e hundës. Ky drenazh ndihmon në mbajtjen e hundës të pastër dhe pa baktere. Normalisht duke qenë të mbushura me ajër, sinuset mund të bllokohen dhe të mbushen me lëng. Kur kjo ndodh, bakteret mund të shumohen dhe të shkaktojnë një infeksion.

Katër sinuset (Foto: WebMD)

Sinusiti odontogjen përkufizohet si sinusit i shkaktuar nga një lezion dentar. Etiologjitë e zakonshme përfshijnë sëmundjen periapikale dhe periodontale, lezione odontogjene dhe shkaqe jatrogjene dhe traumatike.


Suedezi ka luajtur në pesë ndeshje të Ligës së Kampionëve këtë sezon dhe ka luajtur në 14 ndeshje të Serie A. /Telegrafi/