Site icon Telegrafi

Kulturocidi ndaj librit shqip në Maqedoni

Javës së kaluar i tërë opinioni shqiptar, por edhe më gjerë u shokua nga mungesa apo deficiti i librit shqip në Panairin e organizuar në qytetin e lashtë dardan të Shkupit. Mungoi libri shqip nga Shqipëria dhe nga Kosova. Edhe ato pak libra që ishin në shqip të sjellë nga ca shtëpi botuese shqiptare, nuk plotësuan nevojën e lexuesit shqiptar, sepse ishin tituj vetëm se të njohur më përpara dhe të konsumuara deri diku nga lexuesi.

Arsyeja se përse mungoi libri shqip në këtë panair, pak a shumë e dinë të gjithë. Po ajo që të çuditë më shumë është mosreagimi i intelektualëve, akademikëve, njerëzve të penës dhe partive politike shqiptare në përgjithësi.
Gjithçka kaloi në heshtje. Sikurse edhe çdo veprim tjetër antishqiptar. Dhe prapë heshtje. Prapë në vend se të reagohet, heshtet. Thuaja se nuk vlen për ne thënia e urtë “I pësuari, i mësuari”. Ne vazhdimisht pësojmë dhe asnjëherë nuk mësojmë. Pse, shtrohet pyetja? Sepse mungon zëri kritik, apo edhe ai zë i vetëm dhe i rrallë që është margjinalizohet.

Pushteti aktual maqedonas në vazhdën e politikës së tij antishqiptare di ku të godet më së miri. Ai godet në librin shqip. Sepse është koshient për thënien “Kush më shumë di, më shumë do të dijë”. Ky pushtet nuk do që shqiptarët të dinë. Ai i do shqiptarët servilë, puthadorësh, të mjerë, analfabet apo edhe më keq analfabetë me diploma. Si çdoherë. Ky pushtet në vend se të jetë i hapur ndaj librit ai tkurret në absurditet.

Sot kur në botën e civilizuar dhe qytetëruar flet gjuha e kibernetikës, e shkencës, e librit të digjitalizuar dhe të internetizuar, në Maqedoni ndodh e kundërta. Lëre më që mungojnë këto të fundit, por edhe libri shqip ndalohet e nuk lejohet. Pushtetarët maqedonas kanë frikë prej tij, sepse e dinë se arma më e fortë për të sfiduar tjetrin është leximi. Për këtë pushtet është shumë mirë kur shqiptari hesht dhe nuk flet, kur shqiptari nuk lexon, kur shqiptari në vend se të kërkojë dituri kërkon servilitet. Për atë arsye fatkeqësitë na rrjedhin në mënyre serike një pas një, pa ndalur. Për atë arsye si kombi më i vjetër në Ballkan dhe në Evropë, anashkalohemi nga pushteti, përfaqësuesit e të cilit nuk e dinë para 20 vitesh çfarë kanë qenë e çfarë janë tashti. Dhe neve në vend se të veprojmë, heshtim.

Habia dhe mllefi edhe më i madh më ndodh çdoherë kur vizitoj Prishtinën dhe Tiranën dhe kur blej libra atje. Kur kthehem për në shtetin “tim”, në kufi doganieri çdoherë më kontrollon veturën dhe çantën e mbushur përplot me libra. Dhe e shoh se i pengon. Herën e fundit i pengoi tej mase libri shume i bukur me ilustrime i studiuesit shqiptar nga Kosova z. Faton Mehmetajt, me titull “Natë yjendezur, nga mbreti Pirro e deri tek Adem Jashari”. Dhe kur doganieri më pyeti dhe më tha se çfarë është kjo, iu përgjigja me një pezëm të madh. “A je zotëri i shkolluar, ky është libër e asgjë tjetër”. Më tha që gjoja se nuk paskam të drejtë të kaloj në kufi me libra. Atëherë durimi nuk më pushoi e i thash troç “Kapni hajnat, kontrabanduesit e armëve dhe të drogës, kriminelët, vjedhësit e fëmijëve që humbin çdo ditë, e më leni rehat”. Nuk kishte çfarë të bëjë dhe u step i hidhëruar tej mase.

E bisedoja me vetveten, se përse i pengon këtij njeriu libri shqip, duke e ditur përgjigjen aty për aty, por duke u hidhëruar edhe më shumë me partitë politike shqiptare në pozitë posaçërisht, po edhe ato në opozitë, se si nuk e ngritin asnjëherë zërin ndaj diskriminimit të librit shqip. Dhe përnjëherë më dalin përpara rrëfimet e babait tim dhe të familjarëve e dashamirëve shumë më të vjetër se unë, që më rrëfenin për vështirësinë e leximit të librit shqip dhe blerjes së po të njëjtit gjatë kohës së monizmit. E thash vet me vete, po çfarë ndryshimi kanë rrethanat aktuale neomoniste prej atyre më përpara. Asgjë. Tani më duket edhe më keq.

Përpara sillej libri nga Shqipëria e Kosova edhe pse me vështirësi nëpër duart e shqiptarëve të Maqedonisë edhe pse me barriera të shumta, ndërsa tani në vend se të hiqen barrierat ato na performojnë dhe shfaqen në formë tjetër edhe më të vrazhdë.
Dhe më vjen ndërmend pyetja për pushtetarin aktual shqiptar në qeverinë e Maqedonisë, “A do, e s’di, a din e s’do” ? Kam drojë së mos vallë janë të dyja.

Dhe papritmas nga frika mos të personalizoj asgjë, duke qenë çdoherë koshient për thënien “Sa më shumë të flasësh në vetën e parë, aq më pak je vetvetja”, përmes këtij artikulli shpreha indinjatën e çdo lexuesi shqiptar që është ndier i ofenduar tej mase nga kultorocidi i librit shqip në këtë panair dhe gjithkund në shtet, si dhe nga heshtja e paskrupullt e akadhemykëve që duhet të flasin, si dhe e pushtetarëve servil shurdhmemec. Andaj besoj se nuk do të has në hidhërim, por në mirëkuptim. Sepse, Kritika është ilaç i hidhur, po ilaç ama.
 

Exit mobile version