Telegrafi

Kultura lokale, pasqyrë e Muzeut Etnografik të Gjakovës

Muzeu Etnografik i Gjakovës vazhdon të mbetet një ndër objektet më të veçanta të historisë së kulturës lokale.

Besmir Hasi, drejtor i Muzeut Etnografik të Gjakovës, në një intervistë dhënë Telegrafit, foli për historinë e këtij Muzeu, duke cekur që fillimisht Muzeu punën e ka nisur në një lokacion tjetër.

“Ky muze është themeluar në vitin 1973, gjegjësisht në vitin 1974 ka filluar të punojë, por ka filluar të punojë në një objekt tjetër, tek kulla e Avdullah Pashë Drenit, ku është Muzeu Regjional i Historisë, por në vitin 1981 shtëpia e familjes Sina dhe Haxhismaili është shëndrruar në Muze, ku në atë kohë Komuna e ka blerë pronën dhe më pas Muzeu ka kaluar në objektin e tanishëm.”, tha fillimisht Hasi.

Duke pasur parasysh rëndësinë e eksponateve që gjinden në këtë objekt, Hasi tha që numri i atyre që e vizitojnë Muzeun është i konsiderueshëm.

“Muzeu ka numër të konsiderueshëm të vizitorëve, numër i cili çdo vit është në rritje. Tani edhe varësisht nga planprogrami i shkollave, kemi edhe vizita nga shkolla jashtë Komunës së Gjakovës, ku vitin e kaluar numri i atyre që e kanë vizituar muzeun ka qenë rreth 3000, ndërsa këtë vit numri i vizitorëve ka shënuar rritje.”, shtoi ndër të tjera Hasi.

Përveç historisë që bart në vete, Muzeu Etnografik i Gjakovës vazhdon të mbetet një prej muzeve më të pasur në Kosovë dhe në Ballkan sa i përket eksponateve.

Më poshtë mund ta ndiqni intervistën e plotë. /Telegrafi/