Site icon Telegrafi

Kultura… e të votuarit!

Afrim Hoti

Zgjedhjet në Kosovë kanë treguar se mënyra e të votuarit dhe manifestimi votues-subjekt, ka problemet e saja.

Në zgjedhjet e kaluara, u dëshmua një nivel jo shumë i kënaqshëm politik, duke u shpërfaqur sindromi i votimit me inercion. Partitë politike nuk shfaqën ndonjë program të qartë politik dhe bastionet partiake u bënë mbi bazat e lokalizmave, ndarjeve rajonale, e për më keq edhe në mes të dallimeve të trashëgimisë së luftës se cilës rezistencë i takuan.

Është fatkeqësi se kjo po na përcjellë edhe sot. Mjerisht hiq ose në disa raste, kandidatët nuk kanë fituar në bazë të vlerave të tyre. Shumica e përzgjedhjeve të qytetarëve po bëhen për partinë politike ose për liderin e subjektit politik. Për më keq, ky votim për lider i përcjellë edhe votimet lokale. Ta zëmë qytetarët e një komune të caktuar votojnë për një subjekt të caktuar politik, se e duan liderin e atij subjekti, duke përjashtuar kështu mundësinë që të njihen me kandidatët për kryetarë të komunës e aq më pak ata për asamblenë komunale.

Kjo sjellje bënë që prezantimet, debatet në këto zgjedhje lokale të mos jenë fare në nivel. I shohim kandidatët tek lëshohen në sulme të ulëta e gati fare që të prezantojnë vizionet e tyre. Disa debate bëhen edhe qesharake, kur kandidatët lokalë flasin me kompetencë për disa gjëra që janë në kompetencë të nivelit qendror ose edhe bëjnë premtime të parealizushme, thjesht abstrakte. Me një fjalë, kjo sjellje reciproke votues-kandidat është e papërgjegjshme dhe neveritëse.

Prezantimi teorik i planprogramit veprues, forma dhe mënyra, transparenca financiare dhe reale e premtimit, nuk kanë ndikuar tek qytetari për të votuar në bazë të këtyre elementeve. Fatkeqësisht është krijuar një precedent, një kulture e të votuarit duke u bazuar në subjektivizëm, në masovitetin e një grupimi partiak, në ndikimin e një lideri kozmetik me retorikë të shprehjes që ngjall ndjenjën, qoftë patrotike apo të një forme tjetër.

Gjatë fushatës parazgjedhore demonstrohen dukuri duke qenë të mërzitshme për qytetarin, imponime të ndryshme, reklamime përseritse monotone, pa ide inovative. Duhet angazhim për institucionet që kanë qasje në projkete të ngritjes së nivelit shoqëror, duke parë se si voton qytetari evropian dhe se si bëhet qasja në kohë fushate, përmes arsimit perëndimor, përmes formave interaktive vetëdijesuese, që të krijohet kulturë e të votuarit e që të arrihet një lëvizje progresive në mentalitetin personal e shoqëror. Përfundimisht, drejt një qëllimi për të votuar me objektivizëm politik, pra që të mos votohet me inercion, por duke analizuar programet dhe ofertën e gjithsecilit.

 

Exit mobile version