Site icon Telegrafi

Kultura e flluskave

Të gjitha fushat e veprimtarisë dhe të dijes njerëzor, ku më shumë e ku më pak, po shfaqin shenja të një krize të rëndë. Mungesa e qasjes profesionale dhe përgjegjshmërisë duket se është pengesa më e madhe për një zhvillim më të shpejtë. Recidivat e rutinës së konceptimit dogmatik nga e kaluara janë duke e mbipeshuar përditshmërinë tonë, prandaj çmontimi i mendësisë dhe praktikës së tillë do të jetë shumë i vështirë.

Aktualizimi i nevojës së reformimit të thellë të shoqërisë sonë, në të gjitha rrafshet e saj, mbase është nënkuptuar më parë si reformizëm formal, sipërfaqësor, për t’i ruajtur privilegjet që nuk i meritojnë, ndërkaq do të duhej të ndodhte e kundërta: reformimi konceptual, botëkuptimor aq i nevojshëm dhe i domosdoshëm.

Në këtë mes, institucioni i informimit në përgjithësi, kurse televizionet dhe radiot në veçanti, janë një ekzemplar tipik i kufizimeve objektive, prrishjes së ideve cilësore. Duke e pasur parasysh ndikimin e madh të këtyre mediave, përgjegjësia e drejtuesve do të duhet të ishte vërtet maksimale. Por, sa janë realisht mundësitë e tyre, kjo është diçka tjetër. Për disa nga fushat e veprimtarisë është e nevojshme dëshira e mirë, kurse për disa të tjera, siç janë televizionet dhe radiot, doemos nevojitet edhe fuqia krijuese, kreative.

Artur Shopenhaueri tërheq vërejtjen: “Në moral dëshira e mirë është gjithçka, ndërsa në art është asgjë, sepse në art vlen vetëm fuqia krijuese”. Shkaqet e kësaj gjendjeje bezdisëse nuk kërkojnë kurrfarë stërhollimi filozofik: politika e punësimit të familjarëve, formimi i grupeve klanore, agjendat partiake (RTK). Në këto rrethana është i pashmangshëm importimi i emisioneve nga Shqipëria, që gjithsesi është i mirëseardhur, por jo në raporte kryekëput poshtëruese, përulëse, në të cilat mediat tona nuk kanë mundësi t’u ofrojnë thjesht asgjë prej gjëje.

Shumica e emisioneve të televizioneve tona jo vetëm që nuk e kanë as nivelin mesatar, por shpesh dominohen nga llomotitjet, shkumëzimet, mbllaçitjet neveritëse. Këtyre Shekspiri do t’u thoshte: “Kështu, pra, ky dhe shumë të tjerë të folesë së tij, me të cilët meken njerëzit e kohës sonë të ndryshkur, kanë kapur modën e ditës dhe zakonet e jashtme të shoqërimit: dhe tërë kultura e tyre është një qervish prej shkumbësh, që i lartëson në sy të kokëzbrazurve dhe mendjefyçkave, por s’ke veç t’u frysh dhe pëlcasin si flluska. Çfarësia tematike, lëndore nuk është parakusht i domosdoshëm i cilësisë së diçkaje, por raporti profesional dhe përgjegjshmëria maksimale”.

Sokrati njëherë po qëndronte para një dyqani në të cilin shiteshin lloj-lloj gjërash. Më në fund ai tha: “Sa shumë gjëra që nuk më duhen paska këtu”. Është e kotë të shpresohet dhe këmbëngulet nga sajuesit e këtyre zhurmave shurdhuese se do të arrijnë që t’ua shesin njerëzve sapunin për djathë pafundësisht.

“Ju e thërritni dëshmitarin kur dëshironi të flisni bukur për veten; kur e keni mashtruar atë që të mendojë mirë për ju, atëherë edhe vetë mendoni mirë për veten”, Niçe.

 

 

Exit mobile version