Të mërkurën është mbajtur dëgjimi i dytë buxhetor me përfaqësues të kulturës, rinisë, sportit dhe shoqërive civile. Të pranishëm ishin drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Igballe Islami, zyrtari kryesor financiar, Zenel Çitaku dhe drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Fahri Jashari.
Çitaku ka njoftuar se planifikohet që buxheti i Komunës së Mitrovicës për vitin 2025 të jetë mbi 30 milionë, derisa ka shtuar se për paga dhe meditje do të ndahen mbi 16 milionë euro, për mallra dhe shërbime mbi 4 milionë euro, për investime kapitale mbi 6 milionë euro e të tjerë, shkruan Telegrafi.
“Paga dhe Mëditje 16,981,995.00 euro, Mallra dhe Shërbime 4,820,000.00 euro, Shpenzime Komunale 600,000.00 euro, Subvencione dhe Transfere 1,209,150.00 euro, Investime Kapitale 6,629,369.00 euro”, ka thënë Çitaku.
Çitaku ka thënë se në planifikimin buxhetor për vitin 2025 të gjitha kategoritë janë trajtuar njësoj sa i përket aspektit financiar.
Ankesat më të mëdha ishin nga klubet e futbollit, përfaqësuesit e të cilëve u shprehen se kërkesat e tyre nuk po merren parasysh fare nga ana e Komunës. Ata kërkuan që sporti në qytetin e Mitrovicës të përkrahet më shumë financiarisht.
Përfaqësuesi i klubit futbollistik nga Mitrovica ka thënë se nuk ka pasur publikim të rezultateve preliminare të subvencioneve, derisa u theksuar se nuk ka pasur barazi gjinore tek ndarja e këtyre subvencioneve për klubet që drejtohen nga gratë.
Ka pasur pakënaqësi se subvencionet për këto klube ishin në shumë monetare më të vogël, transmeton Telegrafi.
Një puntor i teatrit “Muharrem Qena” ka thënë se nga renovimet në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” nuk ofrohen kushte minimale për përgatitjen e shfaqjeve teatrale nga ana e aktorëve, derisa patë dhe ankesa që në këtë qendër është vjedhur energjia elektrike nga persona të papërgjegjshëm.
Lidhur me këtë, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Mitrovicë, Fahri Jashari, ka thënë se në fund të shtatorit do të renovohet Qendra e Kulturës, e po ashtu do të ofrohen kushte të mira për teatrin e qytetit.
Kujtojmë që teatri “Muharrem Qena” në Mitrovicë nuk ka objekt të vetin dhe funksionon brenda Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”.
Ndërsa, drejtoresha e Muzeut të Mitrovicës, Nora Prekazi, ka kërkuar rritje të buxhetit për investime brenda këtij institucioni. /Telegrafi/