Nga: Tomisllav Markoviq (Tomislav Marković), shkrimtar serb që jeton në Beograd / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
“Ukraina sulmon Rusinë!” ishte titulli surreal i një kryelajmit të edicionit të 22 shkurtit të “Informer”-it – tabloidit më të shitur në Serbi. Ai titull nuk ishte rastësi; ishte shprehje e putinofilisë që prej vitesh është e fortë në Serbi. Derisa pjesa më e madhe e botës e dënoi agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, shumica e mediave në Serbi iu qasën glorifikimit të veprimeve të Rusisë. Tabloidët, portalet në internet, ditoret, të përjavshmet dhe kanalet televizive mbarëkombëtare, festuan shkatërrimin e qyteteve të Ukrainës dhe me gjithë zemër i dhanë mbështetje forcave të armatosura ruse. U duk se vrasja e civilëve, rrafshimi i qyteteve dhe shkatërrimi i monumenteve të kulturës i mbushi me entuziazëm dhe me energji disa prej botuesve të Serbisë.
Në Beograd u zhvilluan tubimet pro-ruse, në të cilat turma brohoriste “Putin” dhe shkronja “Z” u shkarravit në asfalt. Pjesa tjetër e botës u trondit teksa në kohë reale shikonte lajmet me kufomat në rrugët e Buçës, me civilët që strehoheshin prej predhave ruse në stacionet e nëndheshme, dhe me miliona refugjatë që largoheshin nga vendi; por, në vend të dhembshurisë për viktimat e pafajshme, reagimi i tifozëve serbë të Putinit dukej se ishte mirëkuptimi për kriminelët.
Nëse aleatët në mediat serbe të presidentit Aleksandar Vuçiq duken optimistë për vdekjen dhe shkatërrimin në Ukrainë, ai pretendon se vendi i tij është politikisht neutral. Serbia pa dëshirë ka votuar në favor të rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënon përdorimin e forcës nga Rusia dhe aneksimin e paligjshëm të territorit ukrainas. Por, qeveria e Vuçiqit vazhdimisht ka refuzuar t’i mbështesë sanksionet perëndimore kundër Rusisë. Zyrtarët evropianët, senatorët amerikanë dhe të dërguarit e ndryshëm janë dyndur te Vuçiqi, duke i thënë se është koha për të zgjedhur: A do që Serbia të bëhet pjesë e Evropës apo aleate e Rusisë? Me gjithë presionin, Vuçiqi e mban Serbinë në huti.
Por, nuk mund të ketë fare neutralitet kur bëhet fjalë për fushatën e Rusisë kundër Ukrainës. Të mbetesh asnjanës derisa xhelati ther viktimën, kjo moralisht do të thotë të anashkalosh xhelatin.
Qëndrimi i Serbisë ndaj luftës në Ukrainë kërkon të analizohet në një kontekst shtesë. Kudo në vendet tjera, agjencia shtetërore ruse e lajmeve, Sputnik, si dhe kanali televiziv rus RT, e shpërndajnë propagandën e Kremlinit; në Serbi, shumica e mediave vendase veprojnë sikur ata vetë janë pjesë e makinerisë ruse, nën komandën e mbikëqyrësit të komunikimit në Kremlin. Problemi nuk kufizohet vetëm në media. Serbia kurrë nuk ka hequr dorë nga ideologjia nacionaliste e Serbisë së Madhe që çoi në luftërat e ish-Jugosllavisë. Përjashtimi i vetëm për pak kohë ishte kryeministri Zoran Gjinxhiq, por ai u ndalua kur u vra në vitin 2003.
Udhëheqësit e sotëm politikë serbë ishin pjesëmarrës në luftërat e viteve 1990. Vuçiqi ishte zyrtar i lartë i Partisë Radikale Serbe – e të dënuarit për kriminel lufte, Vojislav Sheshel. Partneri i tij i koalicionit, Ivica Daçiq – lider i Partisë Socialiste të Serbisë – ishte zëdhënës i Slobodan Millosheviqit. Një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Vuçiqit, ministri i Brendshëm Aleksandar Vulin, e nisi karrierën si funksionar i së Majtës Jugosllave – parti e themeluar nga gruaja e ndjerë e Millosheviqit, Mirjana Markoviq. Ministrja e sotme për Integrime Evropiane, Jadranka Joksimoviq, ka punuar në revistën e Partisë Radikale Serbe, “Velika Srbija”, titulli i së cilës (Serbia e Madhe) flet vetë.
Udhëheqësit politikë serbë ende publikisht nuk e pranojnë Srebrenicën si gjenocid. Mos asgjë, i referohen kryerjes së “krimeve të tmerrshme”. Por, në nivel shtetëror nuk ka pasur përballje me të shkuarën. Përkundrazi, elitat politike, mediatike, kulturore, kishtare dhe shoqërore vazhdojnë të mohojnë përgjegjësinë serbe për krimet e luftës. Revizionizmi historik i Serbisë, i kohëve të fundit, tregon se serbët kanë qenë ata që ishin viktima, asnjëherë kriminelë. Kriminelët serbë të luftës, të dënuar ndërkombëtarisht, kthehen në shtëpi pas vuajtjes së dënimit dhe marrin mirëseardhje, të ardhura dhe hapësirë mediatike si heronj që shpjegojnë versionin e tyre të së vërtetës – të cilin gjykata e Hagës, natyrisht, nuk ishte në gjendje ta kuptonte.
Në qytetet anembanë Serbisë, muralet kanë imazhin e Ratko Mlladiqit, shpeshherë me sloganin “heroi serb”. Kushdo që flet për krimet serbe, njolloset si tradhtar nga turma e linçit mediatik. Në zyrën e Prokurorisë serbe për Krimet e Luftës, për vite me radhë 2 500 raste kanë mbetur në fazën e hetimeve paraprake. Sipas vlerësimeve të Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, të paktën 6 000 kriminelë të padënuar lufte ecin lirisht nëpër rrugët e qyteteve serbe.
Për nacionalistët serbë të ekstremit të djathtë, gjendja aktuale e paqes në Ballkan është e përkohshme, ashtu si dhe kufijtë. Ata ende ëndërrojnë për një shtet të madh serb që do të përfshijë Kosovën, Malin e Zi, Republikën Sërpska dhe një pjesë të Kroacisë. Realizimi i asaj ëndrre nuk është i mundur ashtu siç janë gjërat, por nacionalistët janë të duruar. Pas humbjes në luftërat jugosllave, u tërhoqën për t’i lëpirë plagët e veta, për ta ushqyer urrejtjen ndaj fqinjëve dhe që nëpërmjet mediave ta mbajnë popullatën në gjendje të gatishmërisë luftarake. Se ata duhet të presin kohën e vet derisa të ndryshojnë rrethanat ndërkombëtare, kjo për më shumë se dy dekada ka qenë një nga narrativat kryesore të propagandës ruse në tregun e Serbisë, duke depërtuar nëpër disa pjesë të mediave serbe.
Ultra-nacionalistët serbë kanë pritur që Rusia të hyjë në një konflikt vendimtar me antikrishtin perëndimor, për të mposhtur Evropën e pafe dhe ShBA-në, si dhe për të vendosur një rend tjetër botëror. Ata e kanë të përcaktuar besimin te Putini si një mesia dhe e imagjinojnë atë si version të përmirësuar të Slobodan Millosheviqit: sundimtar i një perandorie të fuqishme që në dispozicion ka arsenal bërthamor.
Kur Rusia e pushtoi Ukrainën, ndjekësit e Putinit menduan se tash ka ardhur koha e tyre; ky ishte fillimi i përmbysjes së madhe në të cilën rendi i vjetër do të rrafshohet dhe nga rrënojat e tij do të lindte një botë ku sovraniteti, kufijtë dhe traktatet ndërkombëtare nuk kanë asnjë rëndësi. Në vend të ligjit ndërkombëtar dhe gjërave tjera perëndimore, ligji i xhunglës do të mbizotëronte, siç e dikton tradita autoritare. Shtetet si Serbia, të favorizuara nga sundimtari i botës i kurorëzuar në Kremlin, do të fitonin të drejtën për të përfunduar atë që filluan tri dekada më parë – për të krijuar më në fund shtetin e zgjeruar të cilin e kanë dëshiruar me shekuj, për t’iu përshtatur madhështisë së tyre të imagjinuar.
Lavdërimi i agresionit kriminal të Rusisë kundër një vendi sovran, mund të duket i çuditshëm për të painformuarit. Por, ata në mesin tonë, që jetojnë në zemër të errësirës, në një vend heronjtë e të cilit janë Slobodan Millosheviqi, Radovan Karaxhiqi dhe Ratko Mlladiqi, nuk presim asgjë më të mirë. Ata që ende besojnë në teoritë e konspiracionit rreth masakrës së vitit 1994 në Markale të Sarajevës, se ajo ishte inskenuar dhe se kufomat e copëtuara ishin në fakt kukulla, do t’i besojnë lehtësisht propagandës së ngjashme për masakrat e civilëve në Buça. Nëse hienat e medias mund të tallen me viktimat e gjenocidit të Srebrenicës në oraret kryesore televizive, pse do të pikëlloheshin për viktimat e krimeve të Putinit? Siç ka thënë shkrimtari dhe mendimtari i madh serb Radomir Konstantinoviq në vitin 1991: “Jetojmë në një botë (nëse kjo është duke u jetuar) në të cilën monstruozja po bëhet e natyrshme, dhe e natyrshmja monstruoze”. Diagnoza e tij e Serbisë, për fat të keq, nuk ka humbur asnjë nga saktësia. /Telegrafi/