Kulla Eiffel është e mbushur me ndryshk dhe ka nevojë për riparime të plota, por në vend të kësaj po ngjyroset (e gjithë puna do të kushtojë 60 milionë euro) përpara Lojërave Olimpike 2024 në Paris, sipas raporteve konfidenciale të cituara nga revista franceze Marianne.
Kulla prej hekurit e lartë 324 metra, e ndërtuar nga Gustave Eiffel në fund të shekullit të XIX-të, është ndër vendet turistike më të vizituara në botë, duke mirëpritur rreth gjashtë milionë vizitorë çdo vit, raporton cnn.
Megjithatë, raportet konfidenciale të ekspertëve sugjerojnë se monumenti është në një gjendje të keqe dhe i mbushur me ndryshk.
“Është e thjeshtë, nëse Gustave Eiffel do të vizitonte vendin, ai do të pësonte një atak në zemër”, tha një menaxher i paidentifikuar i kullës.
Kompania që mbikëqyr kullën, Societe d’Exploitation de la Tour Eiffel (SETE), nuk komentuar vlerësimet e ekspertëve.
Rreth 30 për qind e kullës supozohej të ishte zhveshur dhe më pas të ishin aplikuar dy shtresa të reja, por vonesat në punën e shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe prania e plumbit në ngjyrën e vjetër do të thotë se vetëm 5 për qind do të trajtohet.
Ndryshe, kompania heziton të mbyllë kullën për një kohë të gjatë për shkak të të ardhurave turistike që do të humbasin. /Telegrafi/