Telegrafi

Kullat e Jasharajve rrezikohen të shemben

Drejtori i Agjencionit për Mbrojtjen e Memorialeve të Luftës, Idriz Blakaj, thotë se nëse vazhdon kjo neglizhencë e institucioneve, kullat e Jasharjave në Prekaz janë në rrezik të rrënohen nga dëmtimet.

“Një ballkon veç është rrënuar, ndërsa muret janë çarë dhe ky rrezik po vazhdon ta cenojë qëndrueshmërinë e kullave”, thotë Blakaj për lajmi.net.

Ai tregon se Agjencioni që e drejton, ka projektuar restaurimin e tri kullave të Jasharajve, një të Sahit Jasharit dhe bunkerit të ish-luftëtarëve të UÇK-së.

“Projekti kap koston prej pesë milion eurove. Tenderi mund ta rrisë ose ta ulë këtë shumë, por e rëndësishme është që paratë të ndahen. Po shpresojmë që me rishikimin e buxhetit të bëhet një gjë e tillë”, deklaron Blakaj për lajmi.net

Blakaj shton se kullat nuk do të mbyllen për vizitorë, ndërkaq familja Jasharaj sipas tij, nuk përzihet në këto punë pasi kullat tashmë janë shpallë zonë kombëtare me interes të veçantë.