Telegrafi

Kullashi: Provokimet, mekanizma me të cilët Serbia nis luftëra

Ish ambasadori i Kosovës në Francë, Muhamedin Kullashi, ka thënë se veprimet e Serbisë në veri janë vazhdimësi e politikës së saj për të provuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, për të matur pulsin, dhe formë me të cilën ajo ka nisur luftëra.

Profesori Kullashi në Zona B të Klan Kosovës, ka thënë se provokimet e Serbisë me murin, trenin dhe pakicën serbe në Kosovë janë vazhdimësi e politikës që ka nxitur konflikte dhe luftëra në ish Jugosllavi.

Ai ka deklaruar se ato janë teste për bashkësinë ndërkombëtare dhe mënyrën e reagimit të saj.

“Këto janë mekanizma që Serbia i ka përdour kur i ka nisur luftërat. Janë të freskëta kujtesat europiane për nisjen e luftës në ish Jugosllavi. Rasti i Kroacisë është i qartë, kur qe nxitur dhe armatosur pakica serbe për luftë. Ky ka qenë një test për ta provokuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare. Pati përgjigje, megjithëse jo të qartë. Edhe nga NATO edhe nga ambasadorë të ndryshëm”, tha Kullashi,  njofton Klan Kosova.

Sipas tij, “Serbia do të luajë rol kyç në Ballkan, por në mëyrën më të keqe”.

Duke komentuar dialogun, ai ka thënë se ai i është imponuar Serbisë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Dialogu është nisur mbi bazën e rezolutës së OKB-së, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Serbia nuk ka dashur të hyjë në këtë dialog. Dialogu është pritur me kuriozitet nga ambasadorë të ndryshëm, sepse nuk e kanë pritur të hyhet në to kaq shpejtë”. /klankosova.tv/