Telegrafi

Kulla 150 vjeçare në Kçiq të Mitrovicës (Video)

Në mesin e shtëpive  të reja në fshatin Kçiq i Vogël, në Mitrovicë, gjendët kulla 150 vjeçare e Asllan Tupellës. Monument  kulturor i trashëguar,  me shumë  histori.

Me një ndërtim të veçantë, e përbërë nga dy kate, ky objekt dikur i kishte shërbyer gjithë fshatit dhe atyre përreth.

Agim Tupella, është ai i cili kujdeset kohë pas kohe për kullën e gjyshit të tij.  Ai ka thënë se ky objekt është i rëndësishëm jo vetëm për familjen e tij, por edhe për gjithë fshatin.

“Ne kohë pas kohe mundohemi me pastrua këtë objekt sa kemi mundësi. Kjo kullë ka rëndësi si për ne edhe për tërë popullin shqiptar, për traditën për objektet kulturore. Duhet tregojmë se kemi qenë një popull me tradita dhe objekte kulturore”, deklaron për RTV Dukagjinin Agim Tupella.

Edhe sot, me pak ndryshime, ka mbetur muri i ndërtuar nga gurët,  i cili dikur kishte funksionin e rrethojës për të.

Dhjetë dritaret e vogla, që gjendën përreth saj, në pjesën e sipërme, e bëjnë edhe më interesante atë.

Agim Tupella, ka thënë këtë monument e ndërtoi gjyshi i tij. Dhe sipas tij, në të dikur ishin strehuar dy fshatra.

“Ka rreth 145 apo 150 vite prej se është ndërtuar. Ne jemi gjenerata e katërt që jemi trashëgimtar të këtij objekti. Ka qenë odë dikur, ndërsa kati i poshtëm ka shërbyer si ahur për kuajt”, tha më tej Agim Tupella.

Agim Tupella, ka thënë se do të vazhdojë të kujdeset për këtë objekt, edhe pse tashmë ai ka hyr nën mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. /RTV Dukagjini/Telegrafi/