Site icon Telegrafi

Kulla 150 vjeçare në Ashlan të Vushtrrisë (Video)

Bora ka mbuluar malet e fshatit Ashlan dhe shtëpitë që ndodheshin aty. Madje kishte mbuluar edhe pullazin e një shtëpie të vjetër, që ishte fshehur mes kodrave, sikur donte të ruhej.

Është  kulla 150 vjeçare e fshatit Ashlan, e cila i kishte mbijetuar kohës.

Ismajl Hyseni kohë pas kohe kujdeset për kullën e stërgjyshit të tij.

Ai ka thënë se kjo tashmë ka hyr nën mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

“Kulla mendohet se është ndërtuar para 150 viteve. Sipas fjalëve të pleqve që unë kam mundur t’i takoj kjo kullë ka 150 vite. Kanë punuar disa mjeshtër që atëherë janë paguar me lira”, deklaron Hyseni, për RTV Dukagjinin.

E ndërtuar me gurë nga dibranët kishte vetëm dy dhoma në pjesën e sipërme, ndërsa poshtë ishte strehë për kuajt.

“Si gjithkund në Kosovë edhe këtu ka pasur ngatërresa, dhe pajtimet janë bërë në këtë kullë’, thotë Hyseni.

Në të njëjtin oborr, gjendët edhe kulla binjake, ndonëse ajo nuk kishte mundur të ruante muret e saj.

Këto dyja, sipas Ismajlit, i takonin dy vëllezërve Hyseni.

“Kanë qenë kullat e dy vëllezërve, Hyseni dhe Kadria. Në kohën e Azem Galicës, të parët tanë kanë pasur bagëti në mal dhe është dashur t’i ruajnë çobanët. Ata e kanë strehuar Azem Galicën dhe e kanë ushqyer, por për hatër të tij askush s’ka guxua me i prek”, rrëfen Ismajl Hyseni.

Hyseni, ka thënë se ndjehet i lumtur, që kulla e stërgjyshit i ka rezistuar viteve, ndërsa sot është objekt i rëndësishëm jo vetëm për të, por për gjithë fshatin./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version