Telegrafi

Kule dhe Koni të trembur në prokurori: Nuk i mbajmë mend kërcënuesit

Rektori i porsazgjedhur i UT-së Mynyr Koni dhe ish-rektori, tani dekan i Ekonomikut, Dhori Kule janë thirrur sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Profesorët nuk i kanë ndihmuar aspak prokurorët të zbardhin ngjarjet ku ata ishin viktima të dhunës verbale.

Mynyr Koni ka qendruar përreth dy orë në prokurori. Ai ka këmbëngulur se nuk i njihte personat që e kërcënuan për t’u tërhequr nga gara.

“Nuk i fiksova fytyrat e tre personave që më urdhëruan të hipja në makinën e tyre, njëri prej atyre, ai që ishte në sediljen e pasme, më kërkoi të tërhiqesha nga gara e mandej me urdhëroi të zbrisja nga makina”, mësohet të ketë thënë Koni.

Prokuroria pyeti gjithashtu edhe ish-rektorin Dhori Kule. As ai nuk ka thënë asnjë detaj që mund të çonin prokurorinë tek autorët e mundshëm. Kule u ka thënë prokurorëve se nuk mbante mend personat. “Më ndaluan tre djem dhe më thanë ‘mos e mbështet Konin në garë’. Unë nuk bëra kallëzim sepse nuk njoha asnjërin prej tyre”, ka thënë profesor Kule. /Telegrafi/