Një 45-vjeçar nga Kukësi ka rënë pre e një sulmi nga një ari. Fatmirësisht ai ka shpëtuar, ndonëse është ndeshur me kafshën e egër, e cila e ka plagosur në gjymtyrët e sipërme.
Babai i pesë fëmijëve në një rrëfim për Channel One, thotë se ka përjetuar moment vërtetë të frikshme, por fal ndihmës që i ka dhënë qeni i tufës së bagëtive, ai ka arritur të mbijetojë.
Ngjarja ka ndodhur rreth mesditës së një dite më parë, ku siç rrëfen Fasli Karaxha, arusha e ka ndjekur nga pas, duke bërë që ai të ndeshet me të, ndonëse frika ka qenë e madhe dhe ai është plagosur në gjymtyrët e sipërme.
“Unë kam qenë në bjeshkën e fshatit, duke kullotur tufën time të bagëtive. Ne e dinim që arusha apo ariu mund të na bënte dëme në blegtori, por që të na ngacmonte edhe ne, jo. Në bjeshkën tonë bari është shumë i madh dhe kur e pashë në fillim mu duk e vogël, por kur mu afrua pas shpine u tremba shumë. Fatmirësisht isha me qenin e tufës së deleve dhe ai më ndihmoi shumë. U ndeshëm, pasi e kapa nga veshët dhe e vura poshtë, por ishte shumë e madhe dhe falë ndërhyrjes së qenit mu largua”, ka thënë ai.