Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, të shtunën më 15 shkurt do të ndajë çmimin “Hasan Prishtina”, çmim ky i cili do t’i jepet qytetit të Kukësit, për strehimin e rreth 500 mijë shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Në këtë ceremoni e cila do të nis të shtunën rreth orës 18:00 pritet që të marrin pjesë personalitete të shumta si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova.
Ndër personalitetet të cilat tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen është kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë, Pandeli Majko, po ashtu edhe kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici.
Të ftuar në ceremoni janë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeparlamentarja, Vjosa Osmani, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
Kryetari i shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, Jahja Lluka ka dhënë detaje në lidhje me këtë event, dhe ka thënë se presin që pjesëmarrës të jetë edhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj dhe mysafirë të shumtë nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë, e të gjitha trojeve shqiptare.
“Do të marrin pjesë shumë familjar të cilët familjaret e tyre kanë dhëna kontribut në zhvillimin e shoqatës, meqë rast do t‘i ndajmë edhe disa mirënjohje për profesor akademik Pajazit Nushin, Muhamet Shukriun, e disa personalitete të tjera. Mbrëmja do t’i kushtohet shkrimtarit Esat Mekuli, meqenëse në vitet 1937 dhe 1938 ka qenë kundër marrëvehsjeve jugosllavo-turke, për shpërnguljen e shqiptarëve. Prandaj do ta kemi mysafir special nga ShBA-të, Xhevat Limanit, me një poemë të Esat Mekulit”, u shpreh Lluka për Telegrafin.
Ceremonia do të mbahet me fillim nga ora 18:00, në ambientet e Sheshit 21, në Prishtinë, të shtunën e 15 shkurtit. /Telegrafi/