Telegrafi

Kukës, fillon të shkurtohet distanca me Kosovën

Montimi i urave dhe plotësimi i tyre me bordurat e caktuara dhe shtresat e zhavorrit gati për asfalt ka bërë që të shkurtohet me 5 km që sot distanca nga Kukësi në Prizren, duke lënë mënjanë përfundimisht rrugën e vjetër, tepër të amortizuar dhe që vitet e fundit ishte bërë shumë e vështirë për t‘u përshkuar.

Banorët e zonës që frekuentojnë këtë aks shprehen shumë të kënaqur, madje të befasuar me fillimin e funksionimit të këtij segmenti, i cili përveçse distancën rrugore ka shkurtuar edhe kohën e përshkimit të saj.

Një shofer i zonës tha për gazetën "Shqip" se nga Morini në Kukës tashmë udhëtimi zgjate sa 1/3 e kohës së mëparshme, ndërsa me përfundimin e krejt segmentit, që siç thuhet, pritet të bëhet në qershor 2009, distanca nga Morini në Kukës do të përshkohet për 11 minuta, nga 60 minuta që është aktualisht, pasi distanca prej 25 km e rrugës së vjetër reduktohet në pak më shumë se 15 km.

Ndërkohë që firmat ndërtuese në aksin e përmendur, megjithatë duket se janë më mbrapa me kontratat për autostradën në raport me kompaninë "Bechtel-Enka", e cila po ndërton pjesën më të vështirë nga Rrësheni në Kalimash me një distancë prej rreth 60 km.

Nga Kalimashi në Morin në një distancë prej 25 km punojnë të paktën 6 kompani dhe asnjë prej tyre, me gjithë përparimin e bërë, nuk është e gatshme të dorëzojë objektin. Sidoqoftë, në Kukës, shoferët kanë nisur ta prekin shkurtimin e distancës mes Shqipërisë dhe Kosovës./shqip/