Telegrafi

Kukës, dy vëllezër plagosin me armë zjarri kushëririn e tyre

Policia e Shtetit njoftoi të shtunën se ka shpallur në kërkim dy persona në fshatin Shtiqen të Kukësit.

Sipas njoftimit, dyshohet se pas një konflikti për motive pronësie, shtetasit Xh. M. dhe A. M. (vëllezër) kanë plagosur me armë zjarri, në këmbë, kushëririn e tyre, shtetasin G. M., 46 vjeç.

Tutje, bëhet e ditur se viktima ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve dhe vijojnë kontrollet në zonë dhe në ambiente të ndryshme, për të bërë të mundur kapjen e tyre”, thuhet në njoftimin e policisë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje në drejtimin e Prokurorisë dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje./Telegrafi/