Telegrafi

Kukan kundër Macron për zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor

Eurodeputeti Eduard Kukan ka deklaruar për “Veçernje Novosti” se pa Ballkanin Perëndimor Evropa nuk është e plotë.

Ky reagim i tij vjen pas deklaratave të kryetarit francez, Macron se nuk është koha për zgjerimin e BE-së, deri në momentin që BE të reformohet.

“Qëndrimi i Macron është vetëm një nga pikëpamjet në bisedimet për të ardhmen e BE-së. Kjo është një nga idetë e tij me të cilën unë thellësisht nuk pajtohem dhe jam kundër qëndrimeve të tij. Gjermania për shembull ka pikëpamje tjera për reformat në eurozonën”, shprehet eurodeputeti Kukan.

Ai ka theksuar se së pari duhet arritur marrëveshje se në çfarë drejtimi duhet të zbatohen reformat dhe më pas do të shihet nëse ato do të jenë të gatshme deri në vitin 2025.

“Pa një rajon të rëndësishëm siç është Ballkani Perëndimor, BE nuk është e plotë e as e bashkuar. Duhet të jemi më të përgjegjshëm ndaj miqve tanë në Ballkanin perëndimor. Nëse nga vendet kandidate kërkojmë që të plotësohen kërkesa të caktuara, atëherë edhe ne duhet t’i mbajmë premtimet tona”, ka theksuar Kukan./Shenja/