Eurodeputetët David McAllister dhe Eduard Kukan pas debatit parlamentar për propozimin për ndryshime kushtetuese sot në një deklaratë të përbashkët theksuan se marrëveshja e Prespës është një mundësi historike për të ardhmen evropiane të vendit, ndërsa deputetët të mbajnë përgjegjësin kyçe në përcaktimin e drejtimit politik të vendit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Marrëveshja e Prespës nga 17 qershori i vitit 2018 ofron një mundësi historike për të ardhmen evropiane të IRJ të Maqedonisë. Anëtarësimi në BE është një zgjedhje strategjike bazuar në vlerat, me çka pajtimi, marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe fqinjësisë së mirë janë elementet kryesore të politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian. Deputetët në Kuvend të cilët nuk janë të lidhur dhe kanë një mandat të lirë, të kenë përgjegjësinë kryesore në përcaktimin e drejtimit politik të vendit”, thuhet në deklaratën e përbashkët të eurodeputetëve.
Kukan dhe McAalister theksojnë se e kuptojnë zgjedhjen e vështirë lidhur me marrëveshjen e Prespës.
“Megjithatë, ne besojmë se të gjithë aktorët politikë do të përdorin këtë mundësi unike për të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në ndërtimin e të ardhmes euroatlantike të IRJ të Maqedonisë. Duke përdorur këtë mundësi, Kuvendi duhet të marrë përgjegjësinë dhe të hapë rrugën për një vend të suksesshëm, të begatë dhe evropian”, thuhet në deklaratë.
David McAllister është kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtëm, ndërsa Eduard Kukan është kryetar i grupit punues për Ballkanin Perëndimor të Komisionit për Politikë të Jashtme të BE-së./Telegrafi/