Poezi nga: Emily Brontë
Përktheu: Lekë Tasi
I ftoht në tokë; dhe bora mal mbi varrin tënd.
Sa larg më je, i ftoht në t`frikshmen errësirë.
Të t`kem harruar ? Ty, që të desha si askënd?
Koha na ndau shpirt, koha që t`gjitha i bën fir.
Edhe kur jam fillkat tani, mendja s`më prier
Posi dikur mbi t`Angorës kodra në bregdet,
Krahët të mbleth, t`pushoj ndër pyje, shqopë e fier,
Që t`fismen zemrën tënde ta mbulojn përjetë.
I ftoht je o shpirt, dhe t`egër pesmbëdhjet dhjetorë,
Në këto kodra t`murrme janë shkrirë çdo pranverë.
Besnik të rri ky shpirt që të kujton përorë,
Mbas kaq ndryshimesh që kanë ndodhur qysh atëherë.
I embli i rinis dashnor, më fal nëse t`harrova,
Kur ryma e botës m`merr, prej teje larg më heq.
Me plot dëshira e ëndrra t`errta u ngarkova; Që m`errin mua,
por ty, s` do munden kurr të t`bëjn keq.
Një Diell tjetër s`ka ndriçuar në qiellin tim,
Për yje tjer`shpirt` im nuk ka, as do ket` sy.
Lumnin` në jetë – nga e jotja e pata i shtrenjti im.
Dhe mbeti ajo te ti, në varrin tënd, me ty.
Kur ditët me të artat ëndrra morën fund,
Dhe s`mundi t`i rënojë as Dëshpërimi.
At`her arrita të kuptoj se si do t`mund,
Jetën ta çoj edhe kur s` e ndihmon gëzimi.
Kshu lot`t i preva për një pasion të pa dobi.
E msova zemrën, mos të rrijë n`atë kujtim,
Dhe bëra zap dëshirën zjarr të hyja posht te ti,
N`at` varr që ësht tanimë më shum se i im.
Por prap s`guxoj shpirtin ta lë pa dhembje,
S`guxoj kujtesa të m`mbesë pa at` dëshprim magji.
Kur paskëshe pirë kaq thell nga hyjnorja humbje
Si mundke botën e errët ta dëshrosh përsëri?