Telegrafi

Kujtimi i Srebrenicës: Përballja me historinë për të ndërtuar paqen

Në korrik 1995, është shkruar një nga kapitujt më të errët në historinë moderne evropiane. Mbi 8 300 djem dhe burra janë vrarë sistematikisht dhe janë varrosur në varre masive në kodrat që rrethojnë qytetin e Srebrenicës. Sot, 29 vjet më vonë, 14 prej atyre viktimave, të cilët u identifikuan së fundmi, do të prehen në Memorialin dhe varrezat Srebrenicë–Potoçari. Për familjet dhe të dashurit e tyre, kjo periudhë e gjatë dhe e dhimbshme pasigurie më në fund merr fund.

Srebrenica mbetet një plagë e thellë në historinë e Evropës. Dështimi për të parandaluar këtë gjenocid është një barrë që ne vazhdojmë ta mbajmë. Të dyja, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, i kanë përcaktuar pa mëdyshje këto mizori si gjenocid.

Ne u zotuam të mos harrojmë kurrë – as viktimat, por as dhimbjen e vazhdueshme të familjeve dhe më të dashurve të tyre. Kujtimi i tyre na detyron të punojmë çdo ditë për të siguruar që historia të mos përsëritet, në një botë ku paqja ndihet gjithnjë e më e brishtë.

Duke caktuar 11 korrikun si “Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të 1995 në Srebrenicë”, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka ngritur rëndësinë e kësaj tragjedie përtej Evropës.

Megjithatë, një tendencë shqetësuese për mohim ende vazhdon në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në të gjithë rajonin. Çdo mohim i këtij gjenocidi është fyerje e thellë për drejtësinë dhe pengesë për pajtimin. BE-ja ka një qëndrim të qartë: nuk mund të ketë vend për mohimin e gjenocidit, revizionizmin historik apo glorifikimin e kriminelëve të luftës në shoqëritë që vlerësojnë të vërtetën dhe drejtësinë.

Pajtimi është përgjegjësi e të gjithëve. Nuk është qëllim abstrakt: duhet të jetë praktikë e përditshme që përshkon politikën, arsimin dhe të gjitha anët e jetës së përditshme. Veçanërisht, është roli i liderëve politikë në rajon që të refuzojnë retorikën përçarëse dhe të promovojnë në mënyrë aktive pajtimin. Kjo kërkon pranimin e fakteve historike, nderimin e viktimave dhe nxitjen e një kulture paqeje dhe bashkëpunimi.

Në mars, krerët e vendeve anëtare të BE-së vendosën të hapin negociatat e anëtarësimit të BE-së me Bosnje dhe Hercegovinën. Fillimi i këtij udhëtimi drejt anëtarësimit në BE sjell shpresë të re për stabilitet politik, zhvillim ekonomik dhe një të ardhme më të mirë për qytetarët e BeH-së. Kjo nënvizon angazhimin e BE-së për të mbështetur Bosnjën dhe Hercegovinën në krijimin e një shteti dhe një shoqërie demokratike funksionale ku mbizotërojnë pluralizmi, drejtësia dhe dinjiteti njerëzor.

Ne treguam se kjo është e mundur: vetë BE-ja është konceptuar që të sjellë paqen dhe pajtimin në një kontinent evropian të ndarë prej kohësh nga luftëra të përgjakshme vëllavrasëse. Kjo nuk do të ishte e mundur pa pranimin e fakteve historike të vërtetuara dhe një zotimi për të ndërtuar institucione të afta për të siguruar një paqe të qëndrueshme.

Gjenocidi i Srebrenicës është kujtim i zymtë e asaj që mund të ndodhë kur urrejtja ndizet dhe ajo promovohet nga elitat politike. Është detyrë e jonë e përbashkët që të sigurojmë që ky kujtim të shërbejë si kujtim i fuqishëm i pasojave të një urrejtjeje dhe jotolerance të tillë. Është detyra jonë e përbashkët që të sigurohemi që këto mizori të mos ndodhin më kurrë. Bashkimi Evropian qëndron përkrah Bosnjë dhe Hercegovinës në këtë përpjekje.