Site icon Telegrafi

Kujtimi për humbjen e djalit të vetëm: Rrëfimi prapa lotëve në Parajsë dhe një ankthi të përjetshëm!

Më 21 gusht 1986, legjendës së rokut dhe bluesit anglez, Eric Clapton, i lind i biri i vetëm, Conor. Për të ai nisi ta ndryshojë veten – të shkojë sërish në rehabilitim, për ta lënë alkoolin. “Ishte bebe, por më shihte se çfarë bëja”, ka thënë Clapton në një intervistë, për vendosmërinë për t’u bërë baba shembullor.

Lexo po ashtu Cirku

Clapton kalonte orë të tëra duke lozur me të birin. Kjo ishte arsyeja pse vendosi të bëjë jetë familjare, me të dhe nënën e tij – aktoren dhe manekinen italiane, Lory Del Santo. Kjo familje u shpërbë kur Lory kërkonte fëmijë tjetër e ai nuk ishte i sigurt. Por, kontaktet me të birin kurrë nuk i ka ndërprerë.

Më 19 mars 1991, Clapton shkon për Pashkët në Nju Jork. Me Conorin e kalojnë ditën në Cirk. Teksa kthehej në shtëpi, vogëlushi fliste për këtë përvojë, e sidomos për një klaun me thikë të cilën babai nuk e kishte vërejtur. Ata kaluan aq mirë, sa që Clapton tha: “Tash e kuptoj se çfarë do të thotë të jesh baba e të kesh fëmijë”. Të dy kurrë më të lumtur nuk kanë qenë, ndaj vendosin të jetojnë sërish si familje në Londër.

Për përjetimin e tij në Cirk, Conor flet edhe të nesërmen, më 20 mars. Kjo ishte dita kur do të shkonin në Kopshtin Zoologjik. Por, këtë ditë fatale, pastruesja lë një dritare të hapur. Një moment të shpejtë e shfrytëzon Conor. Ai bie nga apartamenti i katit të 53-të të një rrokaqielli.

“Kam qarë çdo ditë për katër vite rresht dhe nuk ka ditë që shkon e që nuk mendoj e nuk lutem për Conorin”, do të thotë Clapton më vonë.

Dhimbjen për këtë humbje, Clapton e shpreh në këngët “Tears in Heaven” dhe “Circus Left Town”. Kjo e dyta flet për momentet e fundit që ai i kaloi me të birin, në Cirk. /Telegrafi/

Exit mobile version