Kur ishte në moshën 8- 9- vjeçare, atje në fshatin e lindjes Menkulas të Korçës, që shtrihet në kufi me Greqinë, Dritëro Agolli e kalonte fëmijërinë në liri të plotë me moshatarët e tij grekë duke ruajtur lopët. Ndërsa, luanin e qeshnin me njëri- tjetrin, fëmijët e dy shteteve fqinje të Ballkanit, nuk e imagjinonin se do të vinin kohë të vështira për ta, e do të rriteshin para kohe në zjarrin e dy luftërave botërore që pasuan njëra- tjetrën. Ndërsa luftërat mbaruan, fqinjët grekë e shqiptarë përgjatë 50 viteve të diktaturës u ndanë nga njëri- tjetri. Ata që ishin pranë kufirit nuk guxonin të takoheshin me miqtë me të cilët kishin ndarë jo vetëm gëzimet dhe hidhërimet e jetës, por edhe sofrën e bukës.
Dhurata Hamzai
Në dorëshkrimet e Dritëro Agollit rrëfehet për shokun e tij të vogël grek Pavllo, që u strehua në shtëpinë e tij gjatë luftës italo- greke.
Dorëshkrimet janë përgatitur për një intervistë që shkrimtari i madh shqiptar e ka dhënë për një revistë greke. Në këtë intervistë shkrimtari zbulon lidhjet miqësore mes dy popujve grekë e shqiptarë para se luftërat botërore të trazonin jetën dhe shpirtin e tyre.
Dritëro Agolli nuk e harron bashkëluftëtarin e vogël grek, Pavllon, me të cilin u rrit dhe ndau dhomën e sofrën e bukës. Me të ai nisi të punonte si korrier i partizanëve që në moshën 12- vjeçare. Ndërsa në fundin e vitit 1943 dhe fillimin i 1944- s kur vetë Dritëroi ishte 14 vjeç, shkoi të luftonte në mal me partizanët në batalionin “Fuat Babani”, që luftonte gjermanët në kufi me Greqinë.
Shënimet e Dritëro Agollit për intervistën
“Fshati Menkulas, ku linda dhe kalova fëmijërinë dhe rininë e hershme, është në breg të lumit Devoll dhe shtrihet gjysmë ore më këmbë larg kufirit me Greqinë. Ne, djemtë e fshatit, shkonim për t’i kullotur lopët apo dhentë në kodrat e fshatit, përtej lumit, të cilat kishin dhe kanë një emër sllav: Poçrova.
Në këto kodra, që gjysmat ishin të fshatit tonë dhe gjysmat, matanë kufirit, lopët që kullosnim ne djemtë e Menkulasit përziheshin me lopët që kullosnin djemtë e fshatrave greke. Dhe ne bashkoheshim: lopë dhe djem.
Duke u bashkuar ua dinim emrin njëri- tjetrin: Pavllos, Markos, Spiros, Andonis, Kristos, Janis e me radhë. Nuk rriheshim dhe nuk vriteshim. As nuk e dinim se çfarë ishim. Dinim se ishim njerëz që flisnim gjuhë të ndryshme.
Ata thoshin, kur na takonin: – Jasu!
Ne thoshim: – Njatjeta!
Pastaj erdhën kohë të vështira. Ne nuk i nxirrnim më lopët për t’i kullotur në Poçrava, në kufi. As djemtë e fshatrave grekë nuk i nxirrnin. Kishte filluar Lufta Italo- Greke. Në Poçrovë vërshëllenin dhe pëlcisnin gjylet e topave italianë dhe grekë. Atëherë në shtëpinë tonë erdhi një miku i tim eti, që e quanin Thomas, dhe që im atë i thoshte, qirio Thomas. Ky qirio Thomas kishte “ardhur” edhe më parë tek ne në shtëpi, se e kishim mik. Ai i binte violinës dhe im atë e merrte edhe në dasma dhe në festa. Por ishte luftë. Erdhi me të birin e tij Pavlin, që ishte nëntë vjeç, sa ç’isha edhe unë. Qirio Thomas i tha tim eti, me djalin Pavllon e vogël për dore:
– Qirio Riza (Riza e kishte emrin im atë). Qirio Riza, mbaje në shtëpi Pavllon, se unë do të shkoj në luftë dhe nuk dihet se si do të ecë puna ime!
– Lëre, Qirio Thomas! Pavllon do ta kemi si djalin tim! – tha im atë.
Dhe Pavllua qëndroi në shtëpinë tonë disa vjet. Flinim bashkë në një dhomë, hanim bashkë në një sofër dhe qeshnim e qanim bashkë. Ai mësoi shqip prej meje dhe unë mësova greqisht prej tij. E tillë ka qenë jeta e ballkanasve, bashkë i kanë ndarë gëzimet dhe bashkë hidhërimet. Kur në njërën shtëpi është bërë dasmë dhe i kanë rënë gërnetës, edhe në shtëpinë tjetër është dëgjuar kjo gërnetë. Kur është djegur njëra shtëpi, edhe tjetra është djegur. Kështu, filloi Lufta e Dytë Botërore. Poçrova u mbush me luftëtarë antifashistë shqiptarë dhe grekë.
Unë e Pavllua më 1943 e 1944 ishim 12 e 13- vjeçarë dhe ishim korrierë partizanë! Në Operacionin e Qershorit të 1944 të nazistëve fshati im Menkulasi u dogj dhe ne shkuam matanë Poçrovës, në Greqi, atje në fshatin Revan, ku kishte shumë shqiptarë.
Më vonë, kur filluan sulmin gjermanët nga ajo anë, grekët erdhën nga fshatrat tona. Vërtet, bashkë i kemi mbjellë pemët dhe bashkë i kemi ruajtur nga thatësira dhe ngrica. Edhe poezinë bashkë e kemi bërë. Naim Frashëri kur mësonte në shkollën Zosimea të Janinës pat shkruar në gjuhën greke poemën e famshme “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”, ku dëshiron që grekë e shqiptarë të jetojnë si vëllezër. Po edhe gjysmë shekulli më vonë pas Naimit në Zosimea të Janinës, erdhi në Korçë një poet grek, si konsull, si nëpunës diplomatik. Por ky nëpunës, edhe vetë nuk e dinte se do të bëhej një nga poetët më të mëdhenj të Greqisë dhe më 1963 do të merrte çmimin “Nobel”. As unë, as Pavllua më 1940, nuk e dinim që Seferis, si konsull i ambasadës greke në Korçë, më 1937 shkruante: …(Poezia e shkrimtarit grek George Seferis e shkruar në Korçë është në greqisht. Shih faksimilen)
Mua fati më ka sjellë jo vetëm të lexoj edhe të përkthej shumë poetë e prozatorë grekë, por edhe të njoh disa prej tyre, madje t’i kem edhe misi, si Samarakis Antonis, që i kam shkruar edhe parathënien e romanit të tij “Gabimi”, përkthyer në shqip. Kam njohur poeten e famshme, miken e vendit tonë Rita Bumi Paba bashkë me të shoqin e saj, Nikon. Por kam njohur edhe poetin dhe publicistin simpatik të Janinës, Llambros Mallamas. Mos themi pastaj që kam takuar edhe pritur artistin dhe kompozitorin e madh, Theodorakis. Kam njohur edhe poetin dhe skenaristin e filmave Asimogopoulas, që kishte një fytyrë si të gdhendur në gurë. Nuk mund ta harroj as piktorin e njohur grek, burrin e mençur Dhimitër Jolldashi, që duke më dhuruar një album të veprave të tij ka shkruar këtë autograf.(Autografi është i shkruar në greqisht. Shih faksimilen)
Dhimitër Jolldashi ka ardhur në Tiranë edhe më 1980 edhe është shoqëruar nga Odhise Paskalin. Edhe atëherë më ka dhënë një libër të tij me këtë autograf. (Autografi është shkruar në greqisht. Shih faksimilen)
Por mua më ka mbetur në mendje, ai Pavllua, shoku i fëmijërisë, djali i qirio Thomait, mikut të tim eti, për të cilin kam shkruar një tregim që është botuar në Greqi në librin tim. Tregimi mban emrin e librit. Madje edhe libri fillon me këtë tregim. Unë po jap vetëm hyrjen e këtij tregimi që është përkthyer jo vetëm në greqisht, por edhe në frëngjisht edhe në gjuhë të tjera: (Hyrja e librit që tregon pak a shumë të njëjtën histori është shkuar në greqisht. Shih faksimilen)…..
Ja, kështu janë punët edhe hallet tona, të mirat edhe të ligat bashkë. /Shqiptarja/