Site icon Telegrafi

KUJTIME MJERIMI

Poezi nga: Pier Paolo Pasolini
Përktheu: Fadil Bajraj

Për shkak se diçka tjetër po ma han shpirtin:
edhe ky afsh po ashtu mbi të cilën, si tutës që jam,
nuk do të doja të flisja, ky hall tepër
i madh dhe për të të ardhur keq për ta shprehur
pafundësinë e thellë dhe të mjerueshme
që ende në vete mban gjithë dhembjen tonë.

Dëshira për të qenë i zoti për të llogaritur bile në bukë, së paku,
dhe në një grusht lumturie –
Ama meraku, që është më i dobishmi për të mbijetuar,
Po më ngulfat pa kurrfarë gjallërie…
Sa shumë e kam çuar jetën poshtë,
me vite i papunësuar, sa trishtueshëm,
viktimë e trullosur e shpresave obsesive.
Çfarë jete,
për çdo mëngjes më duhej të çaja turmat e uritura
nga shtëpia e varfanjakut të humbur në skaj të qytetit
deri te shkolla e të mjerëve në një tjetër periferi:
punë e pranuar sall nga njeriu që është në pikë të hallit
për të cilin çdo formë e jetës është armiqësore.

Ah, autobusi i vjetër i orës së shtatë
që ndalej në fund të linjës Rebibbia
ndërmjet dy kolibeve dhe një rrokaqielli të vogël,
qyqevetëm në acar a në pikë të zhegut…

Ato fytyra të kalimtarëve të përditshëm
sikur të kishin dalë në shëtitje nga barakat e trishta,
plot dinjitet dhe serioz,
me gjallëri të shpifur borgjezie
duke maskuar frikën e kahmotshme
të mjerimit të ndershëm.

I tyre ishte mëngjesi përcëllues
në fushat e blerta bishtajore të Anienes,
ari i ditës kundërmon në plehra të shpurritur,
drita shpërhapëse e pastër posi shkëlqim hyjnor
mbi vargun e kasollave të rrënuara
që koten tashmë në qiellin e ngrohtë…
Ai vrapim i pafrymë
midis panoramave të ndërtesave të ngushta,
brigjet e shkrumbuara të Tiburtinës…
Ata rreshta punëtorësh, të papunësuarish, hajnash,
që nisen, ende të lyrshëm me djersë të përhimtë
nga shtretërit ku kanë fjetur kokë e këmbë bashkë
me nipërit në dhomat e vocërra e të pista,
të pluhurosura si qerre, të ndotura dhe me kënaqësira…
Ato paralagje të qytetit të ndara në ngastra, të njëllojta,
të thara nga dielli i valë
në mesin e guroreve të braktisura,
pendëve të shkatërruara, kolibeve, fabrikave ku punëtorët
shfrytëzohen për të të ardhur keq…

Exit mobile version