Nga: Stendali (Marie-Henri Beyle)
Përktheu: Verjon Fasho
… Më 1817 njeriu që kam admiruar më së shumti për shkrimet e veta, i vetmi që bëri revolucion tek unë, zoti kont dë Trasi, më erdhi për vizitë në Hotel d’Itali, në sheshin Favar. Kurrë më parë nuk kam mbetur aq i habitur. Prej dymbëdhjetë vjetësh e kam admiruar Ideologjinë e këtij burri, e cila një ditë do të jetë fort e shquar. I kishin lënë poshtë derës një ekzemplar të Historia e pikturës në Itali.
Ndenji një orë me mua. E admiroja aq shumë saqë, sipas gjasave, e humba fare toruan nga tepria e kësaj dashurie. Kurrë s’kam dëshiruar të jem më i zgjuar apo më i këndshëm sa ky person. Gjatë asaj kohe iu qasa kësaj inteligjence aq të gjerë, e sodisja i mahnitur, i lypja dituri. Nga ana tjetër, ende s’e dija në zotëroja sadopak mençuri.
Ky improvizim i një mendjeje të pastër më erdhi vetëm më 1827.
Zoti Destyt dë Trasi, Per i Francës, anëtar i Akademisë, ishte një plakush imcak, shumë babaxhan, me pamje elegante e krejt të veçantë. Me pretekstin se i është bodësuar të parit, zakonisht mban një kasketë të gjelbër strehëgjerë. E kam parë të pranohet në Akademi nga konti dë Sezhyr, i cili i rrëfeu një kosh me marrëzira në emër të despotizmit perandorak. Kjo, nëse nuk gaboj, ngjau më 1811.[1] Megjithëse isha fort i lidhur me oborrin perandorak, m’u neverit fund e krye. “Po biem kryekëput në barbarinë ushtarake. Po bëhemi gjenerali Gros”[2] – thosha me vete.
Zoti dë Trasi kurrë s’ka dashur që t’i bënin portret. Më duket se i përngjante papës Korsini Klement, siç e hasim në tablonë e kishës San-Mari-Mazhër, kur futesh në të majtë. Sjellja e tij është e përkryer, kur nuk e ka kapluar ai humor i zi aq i kobshëm. Ia kuptova karakterin vetëm më 1822. Është një donzhuan i moçëm – pothuajse gjithçka e sillte në qejf. Për shembull, në sallonin e tij, zoti Lafajet[3] dukej më i fisëm se ai (madje edhe më 1821). Ndër të tjera, zotërinjtë francezë s’e kanë vlerësuar kurrë Ideologjinë dhe Logjikën. Zoti dë Trasi u thirr në Akademi nga këta gojëtarë të mykur vetëm si autor i një gramatike të mirë dhe sërish i fyer rëndë nga ai servili Sezhyr, baba i një biri edhe më servil (zoti Filip, i cili shkroi fatkeqësitë tona të Rusisë për një dekoratë nga Luigji XVIII). Ky i poshtri Filip dë Sezhyr do të më shërbejë si shembull për personazhin që urrej më së shumti në mbarë Parisin: kallëpi i qeveritarit besnik i nderuar në gjithçka, përveçse në hapat vendimtarë që njeriu hedh në jetë.[4]
Kohët e fundit ky farë Filipi luajti kundrejt ministrit Kazimir Perié (shih Debatet, maj 1832) rolin që i erdhi më për mbarë për t’i fituar favoret e këtij Napoleoni, të cilin më vonë e braktisi aq paturpësisht dhe, më pas, favoret e Luigjit XVIII i cili kënaqej me kësi njerëzish fundërrina. Ai i kuptonte më së miri poshtërsitë e tyre, ua kujtonte me fjalë aq mikluese në çastet kur ata bënin diçka të fisme. Ndoshta miku i Favrait[5] i cili priste lajmin e dënimit të tij me vdekje për t’i thënë më pas ndonjërit prej miqve: “Mbushnani kupat me verë!” do ta kuptonte plotësisht këtë personazh. Ai ishte nga ata burra që e pranonte se ishte një ndyrësirë dhe arrinte të qeshte me ndyrësinë e vet.
E di fort mirë që termi ndyrësi s’e ka efektin e duhur, por këtë lapërdharin Filip Sezhyr e kam pasur halë në sy. E dua dhe e çmoj njëqind herë më shumë një burgaxhi të thjeshtë, apo një vrasës të rëndomtë i cili ka rënë pre e një çasti dobësie dhe që, për më tepër, do të vdiste nga …[6] si zakonisht. Më 1826 apo ‘28, ky Filipi i dashur ishte i zënë mat duke mbarsur me fëmijë një vejushë milionere të cilën sapo e kishte joshur dhe orvatej ta merrte për grua (zonjën G…, vejushë e një parie të Francës). Me raste kisha darkuar bashkë me gjeneral Filip dë Sezhyrin në tryezën e perandorit. Asokohe Filipi broçkolliste vetëm për trembëdhjetë plagët e tij të marra në përleshje, sepse njëkohësisht ishte edhe shtazë sypatrembur!
Në Rusi, në këtë vend gjysmë të civilizuar, do të ishte bërë hero i madh. Në Francë njerëzia zuri ta kuptojë poshtërsinë e tij. Zonjat Garnet (në rrugën Dypo, nr. 12) dëshironin të më paraqitnin te vëllai i tij, fqinj i tyre (nr. 14), nëse s’gaboj, gjë që e kam refuzuar disa herë për shkak të këtij historiani të fëlliqur të fushatës së Rusisë.
Ky konti dë Sezhyr, udhëheqësi suprem i ceremonive në Shën Klod më 1811, po vdiste nga pikëllimi që nuk zotëronte titullin dukë. Në sytë e tij kjo qe më tepër se fatkeqësi, diçka fort e pahijshme. Të gjitha mendimet e tij ishin gjepura, por ai kishte shumë të tilla dhe, mbi çdo gjë. Te të gjithë ai nuk shquante veçse rëndomësi, por me ç’elegancë të pashoqe i shprehte ai ndjenjat vetjake.
Më pëlqente ajo dashuri aq e përkushtuar e së shoqes për këtë burrë të gjorë. Ndër të tjera, teksa i flisja më dukej sikur kisha të bëja me një krijesë lilipute.
Zotin dë Sezhyr, udhëheqës suprem i ceremonive nga 1810-a deri më 1814, e kam takuar në kabinetin e ministrave të Napoleonit, e nuk e pashë më që pas rënies së këtij burri të madh, për të cilin ai qe veç një hallkë e dobët dhe një fatkeqësi më shumë.
Edhe fisnikët e Danzhosë[7] në oborrin e perandorit, (e nuk ishin të paktë, për shembull, miku im baroni Marsiel Dary) edhe këta njerëz pra nuk e mbajtën dot të qeshurit në ceremoninë e sajuar nga konti dë Sezhyr gjatë martesës së Napoleonit me Mari-Luizën e Austrisë, e sidomos në atë të takimit të parë mes tyre. Edhe pse i dashuruar me uniformën e tij të re mbretërore, Napoeloni nuk mundi ta përmbante veten, por zuri të qeshte me të bashkë me Dyrokun. Ky i fundit ma rrëfeu këtë ngjarje me gojën e tij. Besoj se asgjë nuk u krye nga i labirint vogëlsish të lodhshme. Nëse do të kisha këtu shkresat e mia të Parisit, do t’ia bashkoja atë program këtij shkrimi me profkat e jetës time.
Më 1832 psherëtij duke thënë me vete: “Ja deri në ç’masë rëndomësia parisiane e kishte vënë përposh një italian: Napoleonin!”.
Po ku isha unë në gjithë këtë rropulli? O Zot, sa për keq mori kjo frazë!
Zoti dë Sezhyr, kryesisht në Këshillin e Shtetit, gëzonte jo pak madhështi. Ky këshill ishte me reputacion të lartë. Më 1810 ai nuk ishte thjesht një turmë pedantësh (si më 1832), apo një turmë Kuzësh[8], Zhakminosh[9], turmë …[10] e të tjera më të paqarta.
Duke përjashtuar peshat e rënda, armiqtë e tij të çartur, Napoeloni kishte mbledhur në këshillin e vet pesëdhjetë francezët më pak budallenj të mundshëm. Kishte disa seksione. Ndonjëherë, seksioni i luftës (ku unë isha rishtar nën kujdesin e të admirueshmit Guvion dë Sën-Kyr[11]), kishte të bënte me seksionin e brendshëm të cilin zoti dë Sezhyr e kryesonte me raste, nuk e di se si, por besoj gjatë mungesës së Renjosë[12] të fuqishëm (konti dë Sën-Zhan-d’Anzheli), kur e kapte sëmundja rrallë.
Në çështje të vështira, për shembull, ajo e ngritjes së rojeve të nderit në Piemont, një raportues i vogël i të cilëve isha dhe vetë, eleganti dhe i përkryeri dë Sezhyr, duke mos gjetur dot asnjë ide, troshiste karrigen e tij, por e bënte me një lëvizje jashtëzakonisht qesharake, duke e zaptuar mes kofshëve të hapura. Pasi qeshja me pafuqinë e tij, thosha me vete: “Por, mos jam unë ai që gabohem vallë? Ky ishte ambasadori i shquar pranë Katerinës së Madhe, i cili i rrëmbeu penën ambasadorit të Anglisë.[13] Është historiani i Uilliamit II apo III (nuk më kujtohet më se cili, dashnori i Lishtënosë për të cilën Benzhamin Konstant bënte duel)”.
Në rini vuaja nga sindroma e të respektuarit me tepri. Kur imagjinata ime fokusohej te ndokush, qëndroja si guhak përpara tij: i adhuroja të metat e tij. Por ana qesharake e zotit dë Sezhyr, duke udhëhequr Napoelonin ishte, me sa dukej, shumë e fortë për leshtësinë time.
Përveç kësaj, për kontin dë Sezhyr, mjeshtër madhor i ceremonive (krejt ndryshe nga Filipi), mund t’i paramendonim të gjitha sjelljet më delikate, me faktorin vajzë kuptohet, duke i çuar ato deri në heroizëm. Ai përdorte edhe fjalë të përzgjedhura me plot hijeshi, por s’lipsej të ngriheshin përtej masës lilipute të ideve të tij.
Kam bërë gabimin më të madh që nuk u mora sa duhej me këtë plakush të dashur nga 1821-shi deri më 1830. Besoj se u shua njëherësh me të shoqen e nderuar. Por ja që isha budalla. Neveria që ndieja për poshtërsinë më qe bërë si pasion më vete në vend se të argëtohesha sikundër bëj sot me disa çështje të oborrit të …[14]
Konti dë Sezhyr, gjatë kthimit tim nga Anglia, më 1817, më kishte mbuluar me lëvdata për Romë, Napoli dhe Firence, broshurë që ia kisha lënë pas portës.
Nga thellësia e zemrës, nga pikëpamja morale, gjithmonë e kam urryer Parisin. Për t’i pëlqyer këtij të fundit, duhej të ishte, ashtu si dë Sezhyri, mjeshtër i madh.
Nga pikëpamja fizike Parisi nuk më ka pëlqyer kurrë. Edhe më herët, më 1803, e urreja meqë s’ishte i rrethuar nga male. Malet e vendit tim (Dofinesë), dëshmitare të pështjellimeve të zemrës, gjatë gjashtëmbëdhjetë vjetëve të para të jetës sime, më kishin dhënë atje një zakon nga i cili nuk mund të lirohesha kurrë.
Parisin nisa ta kem për zemër pas 28 korrikut 1830. Edhe gjatë Urdhëresave, në njëmbëdhjetë të darkës, në shtëpinë e kontit Réal[15] tallesha me guximin e parisienëve dhe rezistencën që pritej prej tyre. Besoj se ky burrë kaq babaxhan dhe e bija e tij heroike, zonja baroneshë Lakyé, ende nuk ma kanë falur këtë trill timin.
Sot për Parisin kam konsideratë. E pranoj që për guximin ai duhet të renditet në krye ashtu si dhe për gatimet, gjithashtu edhe për mençurinë që ka. Nuk është se më josh dhe aq për këtë të fundit. Gjithmonë më është dukur se ka njëfarë komedie në virtytin e tij. Të rinjtë e lindur në Paris nga etër provincialë, e në atë zellin burrëror të të bërit pasuri, më dukeshin si ato qeniet e yjëzuara, të kujdesshme vetëm për pamjen e jashtme të veshjes së tyre, për shijen e hollë rreth kapelave të tyre ngjyrë gri, për kravatat e vendosura mirë, njësoj si zonjat Febyrje, Violet-lë-Dyk etj. Nuk mund ta imagjinoj një burrë pa pakëz zell prej mashkulli, pa qëndrueshmëri dhe thellësi në idetë e tij etj. Të gjitha këto janë po aq të rralla në Paris sa dhe veprimet e pasjellshme apo të ashpra makar.
Por, këtë kapitull më duhet ta mbyll këtu. Duke u përpjekur të mos gënjej dhe të mos i fsheh të metat e mia, jam detyruar t’i shkruaj këto kujtime në njëzet faqe për çdo seancë, si të qe letërkëmbim. Pas ikjes sime nga kjo botë, ky dorëshkrim origjinal do të shtypet në kartë. Mbase këso udhe do të arrij drejt vërtetësisë, por më duhet t’i kërkoj lexuesit (ky i fundit mund të ketë lindur sa ora në ndonjë shtëpi fqinje) të më falë për çorollepjet e shpeshta jashtë temës … /Revista “Akademia”/Telegrafi/
___________