Nënkryetari i LDK-së, Kujtim Shala ka reaguar për herë të parë pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
Shala përmes një mesazhi në Facebook drejtuar “qëndrestarëve” të LDK-së, ka falënderuar ata për votimin e partisë.
“Ju falënderoj nga zemra për përkrahjen që i keni dhënë LDK-së, lëvizjes shqiptare të Kosovës, themelueses dhe garantueses së shtetit tonë”, ka shkruar ai, përcjell Telegrafi.
Shala iu është mirënjohës edhe votuesve të tij duke thënë se besimi i përsëritur është nderi më i madh.
“Falënderoj të gjithë ata qytetarë që kanë zgjedhur të më votojnë mua si kandidat të LDK-së dhe edhe një herë më kanë dhënë besimin që t’i përfaqësojë në Kuvendin e Kosovës”.
Njeriu i dytë më i votuar në LDK ka premtuar faqe të re për LDK-në dhe Kosovën.
“LDK-ja do të hapë një faqe të re te veten dhe të Kosovës. LDK-ja është partia e rrënjëve të Kosovës. LDK-ja nuk është vetëm një alternativë politike, por shenja thelbësore e shtetit tonë”, ka shkruar Shala./Telegrafi/