Kujtim Shala nga LDK-ja ka thënë se kjo parti nuk është e gatshme që të negociojë asgjë me Serbinë për të arritur një kompromis që të mos ketë status-quo.
“Ky nuk është proces kompromisi. Deri këtu ka qenë proces normalizimi i marrëdhënieve. Tani po projektohet si proces pastërtisht politik, por çështja e kompromiseve ka të bëjë me një proces tjetër, me procesin e Vjenës”.
“Nëse ne pranojmë ta shtrojmë si çështje kompromisesh, vërtetë do të jemi kundër parimeve bazë dhe kundër rendit kushtetues të Kosovës”.
“Pse ne duhet të bëjmë kompromise, në kuptimin pse duhet të lëshojmë territor në një fushë të caktuar në këtë proces”.
Shala në Zonën Zgjedhore të Klan Kosovës ka thënë se procesi i dialogut me Serbinë duhet të riorientohet, por fillimisht duhet edhe të riemërtohet.
“Komisioni Europian e quan dialogu Prishtinë-Beograd dhe kjo e relativizon statusin e Kosovës në radhë të parë sepse BE si i tërë s’e konteston statusin e Serbisë. Kjo duhet të kthehet në një proces shtet më shtet dhe kjo është garancia e parë që duket formale, por që e kthen debatin politik në rrafshin normal të diskutimit të dy shteteve”.
“Meqë kemi disa probleme të rëndësishme thelbësore që na pengojnë ndërsjelltas duhet të përpiqemi t’i zgjidhim si dy subjekte që jemi. Serbia nuk do të zgjidhë problemet tona dhe as ne problemet e Serbisë, por do të zgjidhim bashkërisht problemet që na pengojnë të ecim më tutje”.
Ai ka deklaruar se nuk mund të ketë një status-quo, ndërsa ka shtuar se Kosova nuk duhet të tërhiqet nga dialogu.
“Status-quo është e pamundur të kemi sepse nëse dështon procesi do ta ketë edhe shkaktarin dhe ne këtu duhet të kemi shumë kujdes”.
“Procesi i Vjenës nuk i pati dy palët në fund që u morën vesh, por kishte shkaktarin pse dështoi. Bashkësia Ndërkombëtare ka mirëkuptim për Kosovën kur Kosova reflekton subjektivitet dhe ka mirëkuptim kur sillet në përputhje me parimin themelor që është qëllimi që të arrijmë marrëveshjen”.
“Kosova nuk guxon të tërhiqet nga ky proces. Ky është një parim që duket teknik, por është thelbësisht politik dhe Kosova nuk duhet të ngutet”.
Ai ka shtuar po ashtu se nuk duhet të ketë domosdoshmërisht një marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk duhet të kemi marrëveshje të shpejtë sepse së paku në dy vitet e fundit kemi pas dobësim të subjektivitetit ndërkombëtar, në radhë të parë për shkak të problemeve tona, por edhe për shkak të përfaqësimit”.
“Kosova është e izoluar, qytetarët e Kosovës janë të izoluar, por edhe drejtuesit e shtetit nuk i pret askush. Për Kosovën nuk ka më refuzime standardesh, teknike dhe teknikash, por ka refuzim politik dhe kjo është shumë e rrezikshme”.
Ai ka insistuar se Kosova nuk duhet të heqë dorë nga dialogu me Serbinë, por duhet të ketë kujdes edhe të mos dëmtojë veten.