Site icon Telegrafi

Kujtim Shala kandidat për president, reagon LDK-ja

Gjatë ditës së sotme në media u raportua se Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar nënkryetarin aktual të Kuvendit të Kosovës nga ky subjekt politik, Kujtim Shala, për president të vendit në kuadër të tentimit për arritjen e një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka mohuar se Kujtim Shala do të jetë kandidat për president nga kjo parti.

Në reagim thuhet se bëhet fjalë për spekulime dhe se LDK nuk jep emër për president derisa të vijë koha e zgjedhjes së presidentit.

“Raportimet për cilindo emër kinse të propozuar nga LDK-ja për President janë spekulime të pavërteta. LDK-ja nuk jep emër për President derisa nuk vjen koha e zgjedhjes së Presidentit”, ka thënë zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, për reporterin.

Kujtojmë se ndër të tjera ngecjet në bisedimet mes VV-së e LDK-së, janë shënuar pas këmbënguljes së Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e presidentit, pasi që presidentit aktual, Hashim Thaçi t’i skadojë mandati në vitin 2021. Më 26 dhjetor, negociatat u kthyen një hap pas, pasi që Glauk Konjufca nga Vetëvendosje u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Gjatë kësaj jave, VV dhe LDK kanë vazhduar bisedimet intensive, mirëpo pa arritur në gjuhë të përbashkët për bashkëqeverisje. 

Exit mobile version