Telegrafi

Kujt po i shtireni

Sundimi i rendit dhe i ligjit ka qenë refreni më i shprehur politik para dhe pas pavarësisë së Kosovës. Po aq sa ka qenë i shprehur edhe refreni zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit.

Sot të gjithë jemi dëshmitarë se sa ka rend dhe ligj dhe se sa ka tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit Kosovë.

E, aq shumë janë përmendur refrenet e sipërpërmendura politike, sa që e kanë humbur edhe kuptimin që kanë. Sepse, sa më shumë janë përmendur, aq më shumë ka pasur shkelje të rendit dhe të ligjit, pikërisht nga institucionet e vendit që i kanë cituar.

Nëse themi se ka rend dhe ligj në Kosovë, si është e mundur që “Rojat e Urës” të bëhen deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe të marrin përgjegjësin e ligjvënies? Kjo është shtirje.

Të themi se ka rend dhe ligj në Kosovë dhe në anën tjetër kryetarët e disa komunave – Xhabir Zharku, Ramadan Muja, Nexhat Demaku e të tjerë si këta – të shpallen fajtorë për vepra të dyshimta e të mos e vuajnë dënimin, atëherë po shtireni, apo jo?

Të themi se ka rend dhe ligj në Kosovë e në anën tjetër të ndodh vjedhja e arit në dhomën e dëshmive, atëherë prapë po shtireni.

Të themi se ka rend dhe ligj në Kosovë e në anën tjetër krimi ekonomik ia ka zënë frymën zhvillimit të vendit, thjeshtë po shtireni.

Të themi se ka rend dhe ligj në Kosovë dhe në anën tjetër vetë prokurorë të shtetit janë nën hetime për vepra penale, edhe kjo është shtirje.

Nëse fillojmë numërimin e dështimeve në sundimin e ligjit në Kosovë, që disa nga to kanë të bëjnë edhe me tolerancën zero ndaj krimit dhe korrupsionit, lista do të jetë shumë e gjatë.

Prandaj, është rëndësishme ta kuptojmë se në Kosovë nuk ka rend dhe ligj ose ai është shumë selektiv e vlen për deputetet e opozitës po jo për “Rojat e Urës”, Xhabir Zharkun, Nexhat Demakun dhe Ramadan Mujen , djemtë Grabovcit etj.

Në këtë situatë çfarë jemi, Qeveria e Kosovës po shtiret se kinse ka rend dhe ligj në Kosovë. Mirëpo, shtohet pyetja: kujt po i shtireni?

Nëse u shtireni qytetarëve, ata tashmë i kanë të qarta aferat korruptive të Qeverisë dhe drejtësisë selektive; nëse u shtireni ndërkombëtarëve, ata tashmë disa herë kane dërguar vlerësime negative për rendin dhe ligjin, si dhe për nivelin e lartë të korrupsionit në Kosovë.

Por, nëse është qëllimi të shtireni para zyrave të huaja dhe para ambasadorëve të ndryshëm, atëherë ata vërtetë nuk e kanë qëllimin te rendi dhe ligji po te marrëdhënia e Kosovës me Serbinë dhe mënyrën se si mund ta bëjnë Serbinë pjesë të mekanizmave ndërkombëtare përmes Kosovës.

Pushteti po e luan lojën në raport me ndërkombëtaret, jo për Kosovën dhe qytetarët, po për vete dhe Serbinë.