Site icon Telegrafi

Kujdesi për këmbët

Faktorët e shumtë që mund të rrezikojnë shëndetin e këmbëve janë: monotonia e punëve të përditshme, veshjet shumë të ngushta dhe takat e larta, si dhe mënyra e të ushqyerit, të gjitha së bashku bëjnë që në mbrëmje të kemi këmbë të ënjtura dhe me një rëndesë prej plumbi. Që nga kapilarët delikatë të gjakut gjer te mosfurnizimi sa duhet i venave me gjak, vuajnë tetë femra në dhjetë. Bëhet fjalë për një lloj epidemie të këmbëve të rënduara.

Kohët e fundit, trajtimet me balta dhe masazhe kanë rezultuar shumë të suksesshme. Bëhet fjalë për një përzierje veprimesh. Efektet janë të shumta, si antifryrje e këmbëve, lehtësim i tyre nga lodhja e përditshme, si dhe ndalimi i infeksioneve të shumta. Përveç këtyre efekteve, është dhe tonifikimi për të lehtësuar këmbët nga lodhja, qarkullimi i keq i gjakut dhe nga të gjitha zakonet e këqija moderne të jetës së përditshme. Për të ndaluar prodhimin e variceve, mosfurnizimin e venave me gjak, shërbejnë edhe norma dhe sjellje të përditshme, të cilat, shërbejnë për të pasur këmbë të shëndetshme dhe seksi.

Pushimi duhet të jetë një moto

Nuk duhet të qëndroni në një vend për një kohë të gjatë, por duhet të ecni shumë shpesh. Kur jeni të ulur, brenda mundësive duhet t’i mbani këmbët pak më lart se niveli i vendit ku jeni ulur. Në rastet kur shtriheni për të fjetur, këmbët duhet të rrinë në një nivel pak më të lartë se ai i shtratit. Duhet të bëni periudha pushimi gjatë ditës. 

 

Gjimnastika dhe banja

Të shtrirë duhet të bëni lëvizje të lehta të këmbëve duke i shtrirë ato më lart se vendi në të cilin ndodheni, gjithashtu duhet të bëni një banjë prej 15-30 minutash, gjatë së cilës të rrini në ujë me temperaturë nga 36- 37 gradë. Nëse nuk është e mundur një banjë, atëherë është e këshillueshme të mbani këmbët në ujë të ngrohtë në po të njëjtat temperatura.

Klima

Duhet të evitoni temperaturat e larta si dhe vendet me lagështirë. Vendet malore janë më të këshillueshme, por nëse ju zgjidhni detin atëherë janë të këshillueshme banjat e gjata dhe shëtitjet në breg të detit me ujin gjer te gjunjët. Mundohuni të ekspozoni sa më pak këmbët në diell dhe mbajtjen e tyre sa më të shkurtër në rërë. Në shtëpi mundohuni të mbani temperatura mes 19-20 gradëve.

Veshjet

Mundohuni të evitoni veshjet shumë të ngushta, të nxehta dhe elastike. Kini kujdes nga këpucët shumë të ngushta, shumë të larta apo shumë të ulëta. Mundohuni t’i gjeni sa më të rehatshme.

Sporti

Nuk këshillohen sportet me lëvizje të vështira dhe të lodhshme. Më saktë i thuhet jo: tenisit, skive, shpatës, futbollit apo dhe sporteve të tjera me top, kërcime dhe vrapimeve të shpejta. Po, vetëm për notin dhe marshimet e lehta në ajër të pastër.

Higjiena

Mundohuni të mbani të pastër lëkurën e pulpave dhe të shputës së këmbës duke i larë ato me sapun dhe duke i trajtuar me kremra sa më ushqyes për këmbët. Nëse është e këshilluar nga mjeku, mund të përdorni dhe çorape elastike. 

 

Ushqimi

Kini kujdes me dietat që përdorni, mundohuni të hani sa më shumë ushqime dhe fibra. Mundohuni të hani sa më shumë ushqime të lehta për t’u tretur pa vështirësi. Mundohuni të evitoni ushqimet pikante, hani sa më shumë fruta dhe perime dhe pini ujë.

Veshja

Për sa i përket veshjes së këmbëve nuk janë shumë të këshillueshme çizmet, megjithëse kanë shumë vite që dominojnë në pasarelat e të gjithë stilistëve më të njohur të botës. Veçanërisht për ato femra që rrezikojnë të kenë varice. Pavarësisht nga të gjithë faktorët, dëmin kryesor e shkaktojnë takat e larta. Megjithëse kanë shumë feminitet, ato shkaktojnë dhe shumë deformime të këmbëve dhe të shtyllës kurrizore. Taka ideale është ajo 3-4 centimetra./Telegrafi/

Exit mobile version