Site icon Telegrafi

Kujdes vreshtar, mos i krasitni vreshtat

Ditët e ngrohta dhe me diell, kanë bërë që vreshtari Ali Kuqi t`i përvishet punës dhe të fillojë me krasitjen e rreth dy hektarëve me vreshta që ka.

Ai mendon se kushtet aktuale që po mbretërojnë janë të përshtatshme dhe nuk e dëmtojnë hardhinë e rrushit.

“Ky mot kaq i mirë nuk besoj se i shkakton dëm hardhisë së rrushit. Para disa vjetësh ne i kitnim (krasitnim) vreshtat pas mesit të marsit. Mirëpo në këtë kohë gjithmonë ka pasur borë dhe temperaturat kanë qenë të ulëta. Por, sot ka kaluar mesi i janarit dhe dielli rrezon sikur të ishte ditë pranvere, kështu që i mora gërshërët dhe po e provoj me disa rende se si po japin rendimente ato gjatë këtij viti”, thekson vreshtari Kuqi për portalin Ferma Ime.

Idenë për fillimin e krasitjeve të vreshtave në këtë kohë, ekspertë të këtij lëmi e konsiderojnë të ngutshme dhe, gjithsesi të dëmshme për hardhinë.

Shyqyri Krasniqi thotë se krasitja e vreshtave në këtë fazë, kur temperaturat mund të vijnë nën zero gradë celsius, i sjell dëme hardhisë duke e tharë atë.

“Pavarësisht asaj se data 15 janar merret si kohë kur mund të fillojë krasitja e vreshtave, mendoj se vreshtarët nuk duhet të ngutën që ta kryejnë atë proces. Duke pasur parasysh edhe ndryshim, do ta quaja, të faktorëve klimatik, atëherë më e mirë do të ishte që ky proces të shtyhet, të paktën deri mes të shkurtit, meqë vreshtari ka kohë që krasitjen ta përfundoj deri me 1 mars. Nëse vreshtari në këtë kohë bënë krasitjen, atëherë gjatë ditëve të ardhshme mund të kemi temperatura të ulëta, ashtu siç ishte vitin e kaluar, dhe të ftohtit e madh mund të ndikojë që lastari të thahet e si pasojë prodhimi të jetë më i vogël gjatë vjeshtës. Sidomos, kujdes duhet të tregojnë ata vreshtar që kanë ngrit vreshta të reja, të cilët në vitin e parë janë më të ndjeshëm gjatë të ftohtit”, thekson Krasniqi.

Sipas tij, dëmtimi i hardhisë mund të shkojë deri 50 për qind, sidomos tek varietetet e ndjeshme siç janë, Kardinali, Hamburgu, Muskati italian etj, duke pasur parasysh se hardhia nuk mund t’i përballojë temperaturat deri minus 20 gradë celsius.

Ndryshe, gjatë dy viteve të kaluar, bora dhe ngricat kanë shkaktuar dëme në sektorin e vreshtarisë. Dëmet më të të konsiderueshme janë shkaktuar pikërisht tek vreshtat që kanë qenë të krasitura gjatë muajit janar. /FermaIme/Telegrafi/

Exit mobile version