Site icon Telegrafi

Kujdes! Në YouTube qarkullojnë video imituese të filmave të njohur për fëmijë, por me përmbajtje shqetësuese (Foto)

Qarkullojnë me qindra video në YouTube, të cilat ngjajnë me filma të famshëm vizatimorë, por në të vërtetë, përmbajtja e tyre nuk është aspak e përshtatshme për të miturit.

BBC përcjell rastin e një episodi të personazhit aq të dashur nga fëmijët sot, Peppa Pig, e cila shkon te dentisti. Në pamje të parë, çdo gjë të duket normale, deri në momentin kur shfaqet një shiringë gjigante dhe dhëmbët e derrkuces fillojnë e shkulen.

Në sfond dëgjohen të qara të forta. Gazetarja Laura June, nënë e një vajze trevjeçare, e vuri re shumë shpejt se diçka nuk shkonte me filmin vizatimor, të cilin e bija po e ndiqte si përherë me vëmendje të madhe, transmeton TCH.

“Peppa bërtet me të madhe dhe qan, ndërsa dentisti duket si sadist”, tregon ajo, duke shtuar se trevjeçarët nuk duhet të shohin gjëra të tilla. Episodet e zakonshme të Peppas te dentisti janë shumë më paqësore.

Ky, sipas gjigantit mediatik anglez nuk është një rast i izoluar. Ka plot video të tjera imituese të filmave të njohur për fëmijë, temat e të cilave shihen si krejtësisht të pavend. Ato përfshijnë personazhet e Frozenit, Minionët, lokomotivën Thomas ose Mickey dhe Minnie Mouse.

Personat përgjegjës për prodhimin e një pjese të këtyre videove, të kontaktuar nga BBC-ja, nuk kanë pranuar të intervistohen.

Exit mobile version