Komunikacioni në Maqedoni zhvillohet me vështirësi të theksuara si rezultat i reshjeve të fundit të dëborës. Nëpër shumë rrugë janë shfaqur ngrica, ndërkaq ka ankesa se ekipet e mirëmbajtjes së rrugëve nuk e kanë kryer punën e tyre, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Siç bën të ditur Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë (LAMM), janë zbatuar ndalesa për qarkullimin e automjeteve të rënda në disa rrugë magjistrale dhe autostrada.
Ndalesat për momentin vlejnë në Strazhë, Mavrovë, Presekë, Gjavatë, Kriva Pallankë – Deve Bair. Vështirësi në komunikacion ka në rrugën Shtip-Veles, pastaj në magjistralen A3 Shtip-Koçan.
LAMM-ja kërkon nga qytetarët që të jenë të vëmendshëm, të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes me automjete dhe t’i respektojnë shenjat e komunikacionit. Rrugët me rrezik janë ato të drejtimeve malore, pra nëpër gryka mali në Koçan-Kamenica Maqedonase-Dellçevë, pastaj Vinicë-Berovë, Gostivar-Strazhë, Mavrovë-Dibër-Strugë, Demir Kapi-Udovë, Katllanovë-Veles, Krushevë-Demir Hisar dhe Resnjë-Bukovë.
Shpeshtësia e komunikacionit në hapësira jashtë qyteteve është rritur, ndërkaq në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata./Telegrafi/