Site icon Telegrafi

Kujdes me thonjtë akrilikë

Ndonjëherë mes thoit tuaj dhe thoit akrilik mund të krijohet një hapësirë e vogël. Nëse thoi akrilik përplaset apo dëmtohet, mund të ndahet nga thoi natyral. Hapësira në mes krijon një ambient që mund të lejojë lulëzimin e një infeksioni të thoit. Infeksioni i thoit gjithashtu mund të shfaqet kur thonjtë akrilikë janë shumë të gjatë ose shumë të ngurtë, ose nëse kur janë vënë, janë përdorur mjete jo shumë higjienike. Nëse zhvilloni një infeksion, thoi natyral mund të bëhet i trashë dhe pa formë e të humbasë ngjyrën e vet.

Gjithashtu mund të keni reaksione alergjike ndaj përbërësve të thonjve akrilikë apo ngjitësve që përdoren në to. Kjo mund të sjellë skuqje, ënjtje ose dhimbje rreth thoit.

Nëse vendosni që të vini thonj akrilikë në një estetikë, merrni disa masa për të ulur rreziqet:
▪ Shkoni tek estetikët e licencuar dhe punoni vetëm me ata.
▪ Jini të kujdesshme nëse ndjeni aromëra. Një erë e fortë mund të jetë shenjë se estetika (apo salloni) nuk është ajrosur siç duhet.
▪ Sigurohuni që specialisti/ja e thonjve i ka sterilizuar siç duhet mjetet që duhet të përdorë për trajtimin tuaj dhe që është i/e kujdesshme që të lajë duart ndërsa mbaron me një klient e fillon me një tjetër.
▪ Mbajini duart në një tas me ujë me shkumë para se të fillojë trajtimi.
▪ Mos lejoni që kutikulat tuaja të shtyhen pas apo të shkurtohen. Kjo rrit rrezikun e infeksionit të thonjve.
▪ Mos lejoni që sipërfaqja e thoit natyral të mbushet apo gërryhet para aplikimit të thoit akrilik. Kjo dobëson thoin tuaj natyral.
▪ Kërkoni një limë thonjsh të re – ose sillni me vete tuajën, meqë limat e thonjve s’mund të sterilizohen.

Nëse zgjidhni t’i vendosni thonjtë akrilikë në shtëpi, ndiqni masat e sigurisë të shkruara në kuti. Punoni në zona të ajrosura mirë dhe jini të kujdesshëm që të mbroni zonën rreth thonjve nga kimikatet e përdorura për thonjtë akrilikë.

Nëse dyshoni për infeksion thoi apo keni skuqje, ënjtje apo dhimbje rrotull thoit, konsultohuni me një dermatolog. /Telegrafi/
 

Exit mobile version