Site icon Telegrafi

Kujdes me Lidhjen

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, padyshim është vendi ku të gjithë shqiptarët pa dallim religjioni, si ata myslimanë, të krishterë, ortodoksë, bektashinjtë deri te ata ateistë vijnë e falen në “themelet” e saj. Lidhja jonë përherë ka qenë shtylla dhe zemra e gjenezës sonë kombëtare, nga ku nisi të artikulohej mëvetësia kombëtare dhe krijimi i shtetit shqiptar, madje edhe atë të krijimit të shtetit të parë shqiptarë.

Nuk ka kurrfarë dyshimi që rëndësia e saj historike dhe kulturore ka qenë madhore. Atë e krijuan Rilindësit me Rilindjen Kombëtare. Ata që përkundër analfabetizmit, krijuan jo vetëm artin letrar por edhe shkencën shqiptare. Nga ato mure u fortifikua qëndresa e parë e organizuar e ushtrisë shqiptare.

Rilindja Kombëtare Shqiptare lidhet ngushtë me shtëpinë e lidhjes, ku së pari herë dolën celulat e para të organizuara politike, ushtarake dhe akademike shqiptare. Aty u fol dhe u vendos njëzëri për mbrojtjen e tokave shqiptare.

Lidhja e Prizrenit përherë do të jetë shëmbëlltyra e shqiptarëve, e historisë, dinjitetit dhe krenarisë sonë kombëtare, atë nuk do të mund ta “shungulloj” dhe shtrembëroj askush.
Lidhja Jonë nuk mund të bëhet objekt qesharak, dhe të bastardohet me shtrembërime dhe ristrukturime të paskrupullta vetëm e vetëm pse disa e shohin si fyese për komunitetet pakicë. Me Lidhjen Tonë nuk fyhet askush sepse s’ka nga çka të fyhet.

Prizrenasit dhe jo vetëm ata sepse lidhja i takon të gjithë shqiptarëve duhet të mos e falin këtë. Edhe shqiptarët e Maqedonisë, edhe ata të Luginës, edhe ata të Shqipërisë… duhet të mos lejojnë shtrembërimin e saj, në qoftë se kjo është edhe një emblemë komunale, siç është rasti me Komunën e Prizrenit. Në këtë rast nuk fyhen minoritetet por të gjithë shqiptarët, madje edhe ata shqiptarë në “Himalaje dhe Zelandën e Re”, por edhe ata ne “Fundin e Dynjasë”…

Për hujet e kujet e dikujt as Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës nuk duhej ta merrte atë vendim aq antishqiptarë saqë ta jep ndjenjën se ajo gjykatë nuk është dhe nuk mbron asgjë çka është shqiptare.

Nuk është dashur të preket në gjak, sepse lidhja është gjaku dhe shpirti jonë, po ashtu ajo është faltorja jonë. E tani, meqenëse na kanë ndyrë gjakun dhe na kanë sharë nënën duke na bastarduar një element me të cilin jemi identifikuar si histori dhe si dije nuk duhet të zgjedhim mjete për ta rikthyer atë ashtu siç ka qenë më parë.

Pa marrë parasysh duhet të jemi të vetëdijshëm për atë se çka jemi, për vlerat tona kombëtare nuk duhet të kursejmë asgjë, pa asnjë mëdyshjeje nuk duhet ta falim këtë dhe duhet ta kthejmë në formën e mëhershme në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

Exit mobile version