Site icon Telegrafi

Kujdes! Inspektorët e duhanit edhe në lokalet e natës

Në Kosovë llogaritet se 1500 deri në 2000 persona çdo vjet vdesin si pasojë e konsumimit të duhanit. E kjo Ministrisë së Shëndetësisë dhe taksapaguesve ju kushton dhjetëra miliona euro për trajtimin e gjendjeve të rënda të shkaktuara nga tymosja e duhanit.

Këto statistika u thanë gjatë një tryeze të hapur të organizuar nga Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Zyrën e OBSH-së në Kosovë, me temën “Mjediset pa tym duhani dhe vendosja e shenjave për ndalimin e duhanit në hapësirat e mbyllura”.

Në këtë tryeze u tha se institucionet janë ato që shkelin më shumë ligjin për kontrollin e duhanit, krahasuar me lokalet dhe baret.

Ndërsa u cek se nga nesër do filloj inspektimi edhe tek lokalet e natës. Pronarët e këtyre të fundit bashkë me ata të subjekteve hoteliere, të cilët morën shumë informacione rreth asaj se çfarë të mira ju sjell zbatimi i këtij ligji.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se ata nuk janë të kënaqur me respektimin e këtij ligji, duke theksuar se ata janë duke bërë aktivitete të veçanta në luftimin e kësaj dukurie në institucionet shëndetësorë.

“Nuk jemi të kënaqur nga respektimi i këtij ligji sidomos nga institucionet shtetërore. Ju falënderoj shumë juve që keni pasur kurajo si biznese të respektoni në tersi ligjin e mospirjes së duhanit, nuk keni lejuar që në bizneset e juaja të pihet duhani. Uroj që biznese të tilla të jenë sa më të shumta në Kosovë, sepse nuk është e rrezikut humbja e klientit nëse nuk lejohet nga vetëdijesimi që pason nga këto aktivitete po kërkojnë lokale ku nuk pihet duhani”, tha

Koordinatori Kombëtarë për Kontrollin e Duhanit, Faik Hoti, tha se tani ligji për kontrollin e duhanit plotësohet edhe me tri akte nënligjore të cilat Ministria e Shëndetësisë ka qenë e obliguar dhe është e obliguar që në vazhdimësi t’i nxjerr.

Por, sipas tij deri më tani ata kanë arritur të miratojnë vetëm udhëzimin e parë administrativ.
“Deri më tani kemi arritur që të miratojmë udhëzimin e parë administrativ “mjediset pa tym të duhanit dhe vendosja e shenjave për ndalimin e duhanit në hapësirat e mbyllura”, i cili pak a shumë është i lidhur me punën e juaj të përditshme. Në proces është edhe një udhëzim tjetër administrativ që ka të bëj me vërejtjet e kombinuar, do të thotë vendosjen e fotografive dekurajuese në pakot e duhanit dhe në këtë rast kemi bërë marrëveshje me disa sh tete të ndryshme që të përdorim fotografitë që këto shtete përdorin në pakot e tyre që shumë shpejt do të jetë i gatshëm. Dhe udhëzimi i tretë administrativ ka të bëjë me kushtet e lejimit të përdorimit të duhanit në ato hapësira që i ka paraparë ligji”, tha Hoti.

Po ashtu, nga këto udhëzime del se lokalet e kanë të lejuar vetëm 50 për qind të ambienteve të jashtme ta lënë për shfrytëzimin e duhanpirës.

E deri më tani nga monitorimi që është bërë, por që ka dalluar kostoja e dënimit te të gjitha ato subjekte afariste të cilat kanë shkelur ligjin, arrin shumën deri në 38 mijë e 250 euro.

Sipas drejtoreshës së Inspektoratit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Ilirjana Zymberi vetëm gjatë vitit 2015 janë bërë 990 inspektime dhe nga to janë shqiptuar mbi 35 dënime mandatore. Ajo shtoi se tani do të fillohet edhe me inspektim gjatë natës.

“Vetëm gjatë vitit 2015 kemi bërë diku 990 inspektime. Kemi pasur diku mbi 35 dënime mandatare mirëpo, nuk duhet të jemi të kënaqur me këtë zbatim të ligjit, sepse gjatë zbatimit të ligji kemi hasur në hotele, restorante, kafiteri që shumica e kanë zbatuar, por kemi edhe një pjesë që nuk e zbaton ligjin. Ne si inspektoriat nuk guxojmë të lejojmë këtë laramani të subjekteve afariste hoteliere. Prandaj, ne do të jemi në inspektim të vazhdueshëm dhe tani do të fillojmë edhe me aksione të mbrëmjes. Prioritetet tona do të vazhdojnë të jenë me masa ndëshkuese”, tha Zymberaj.

E për t’i motivuar subjektet hoteliere të cilat po zbatojnë ligjin dhe sigurojnë 100 për qind ambiente pa tym duhani u ndanë disa mirënjohje për ta. E të gjithë pjesëmarrësit e thanë se respektimi i ligjit të duhanit nuk ua ka humbur atyre klientët. /Telegrafi/

Exit mobile version