Site icon Telegrafi

Kuizi i organizuar nga Johnsoni në zyrën e tij doli në fakt të jetë një festë me shampanjë – akuza të reja për shkeljen e rregullave anti-COVID

Policia Metropolitane në Mbretërinë e Bashkuar po përballet me thirrje të reja për të hetuar një organizim të një kuizi virtual në No 10 për Krishtlindje pasi një fotografi së fundmi tregonte kryeministrin britanik Boris Johnson me një shishe të hapur.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, imazhi tregon kryeministrin të rrethuar nga tre anëtarë stafi, njëri i veshur me xhingël dhe tjetri me kapelë Babadimri, në ngjarjen e 15 dhjetorit të vitit 2020.

Në tavolinën para tij – nga ku ai lexoi pyetjet e kuizit për ekipet në të gjithë ndërtesën – është ajo që duket të jetë shampanjë dhe një pako e ngrënë përgjysmë me patate të skuqura.

Johnson u akuzua se kishte thyer personalisht rregullat e COVID-19 duke organizuar ngjarjen festive pasi vitin që lamë pas The Mirror raportoi se ajo kishte ndodhur.

Në atë kohë, Londra ishte nën rregulloret e nivelit 2 që ndalonte shoqërimin midis dy ose më shumë personave të familjeve të ndryshme.

Udhëzimi zyrtar gjithashtu thoshte se nuk duhet të organizohen drekat pune apo festat për Krishtlindje, pasi ishte një aktivitet kryesisht shoqëror.

Vetëm dy ditë pas raportit fillestar të Mirror, kryeministri britanik pati thënë: “Mund t’ju them edhe një herë që nuk kam thyer asnjë rregull”.

Megjithatë eventi i Krishtlindjeve në zyrë nuk është nën hetim nga policia, ndryshe prej organizimeve në No 10 që tashmë janë duke u hetuar nga autoritetet.

Eventet ishin organizuar kryesisht gjatë kohës kur ishin nën fuqi rregullat anti-COVID në Mbretërinë e Bashkuar. /Telegrafi/

Exit mobile version