Site icon Telegrafi

“Kufiri i Kuq: T’huej mes t’vetve” – Dokumentari që hapi edicionin e shtatë të Festivalit ‘Republika’ në Prishtinë

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Gjatë tri ditëve të fundit, Kino Armata në Prishtinë ka qenë epiqendra e artit dhe kulturës, duke mirëpritur edicionin e shtatë të Festivalit Ndërkombëtar “Republika”. Ky edicion u hap me premierën e dokumentarit “Kufiri i Kuq: T’huej mes t’vetve”, një produksion i mbështetur nga British Council, Kujto.al dhe Social Creativity.

Dokumentari sjell një rrëfim të ndaluar për kohën e komunizmit dhe përqendrohet në figurën e shkrimtarit klasik shqiptar, Anton Pashku. Me një qasje të thellë dhe reflektuese, ky film trajton historitë e autorëve që u përballën me censurën dhe sfidat e kohës, duke hedhur dritë mbi ndarjet e detyruara kulturore e ideologjike mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë gjatë regjimit komunist.

Telegrafi ishte prezent në Kino Armata për të ndjekur nga afër këtë premierë dhe realizoi një intervistë ekskluzive me drejtoreshën e festivalit, Vlora Ademi. Ajo ndau detaje mbi rëndësinë e këtij dokumentari dhe programin e Festivalit “Republika”.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

“Po fillon edicioni i shtatë i Festivalit Ndërkombëtar ‘Republika’ dhe festivali sonte hapet me dokumentarin ‘Kufiri i Kuq: T’huej mes t’vetve’, një bashkëpunim me Fondacionin Kujto.al dhe organizatën Social Creativity. Dokumentari sjell në qendër figurën e Anton Pashkut dhe ndriçon një periudhë të vështirë për letërsinë shqipe”, tha Ademi.

Përveç premierës së dokumentarit, nata hapëse e festivalit përfshiu edhe performanca muzikore nga solistja Ardiana Bytyqi dhe instrumentistët Maliq Uruqi dhe Genta Hajrizi. Po ashtu, u mbajt një mbrëmje poetike ku morën pjesë poetë nga vende të ndryshme, si Primo Sllaku nga Shqipëria, Kristos Gaza nga Greqia, Rafa Njuman nga Zvicra dhe Dalila Hjauju nga Maroku.

Vlora Ademi (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Ademi theksoi se ky edicion i “Republikës” është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prishtinës, duke mundësuar realizimin e një programi të pasur kulturor.

Festivali “Republika” vazhdoi me aktivitete të tjera gjatë tri ditëve të tij, duke sjellë një kombinim të artit vizual, poezisë dhe muzikës, duke e shndërruar Prishtinën në një qendër të rëndësishme të debatit kulturor dhe artistik.

Vlora Ademi (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Premiera e “Kufirit të Kuq: T’huej mes t’vetve” shënoi një moment kulmor të këtij festivali, duke sjellë një reflektim të thellë mbi të kaluarën dhe duke ngjallur debat mbi kufijtë kulturorë e politikë që kanë ndikuar në identitetin shqiptar. /Telegrafi/

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

 

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

 

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

 

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

 

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

 

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

 

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

 

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Exit mobile version