Site icon Telegrafi

Kufiri i Gruveskit!

Nuk kishte se si ndryshe të përfundonte takimi i liderëve në Shkup. Para se të mbahej ky takim i përfolur, paralajmërime bombastike vinin nga blloku shqiptar. Paralajmëruan se do të kërkojnë që parimi i Badinterit të jetë pjesë në përzgjedhjen e gjykatësve etj. Megjithatë këto kërkesa ranë në ujë sepse Gruevski nuk pranoi asgjë.

Ky njeri që shumica do pajtoheshin me konstatimin se këtë vend e konsideron si pronë të tij private dhe ai çka dëshiron jep.Ky njeri e ka vetëm një të mirë, kurrë nuk të ndalon të kërkosh. Në këtë rast del se në një takim të ardhshëm atëherë pjesëmarrja e shqiptarëve është e pakuptimtë. Logjikisht në një takim ku asgjë s`pranohet s`ka arsye të marrësh pjesë.

Kërkesa e një prej pjesëmarrësit në takim i paska tejkaluar kufijtë e Marrëveshjes së Ohrit. Kështu ishte përgjigje prerazi Nikolla Gruevski duke arsyetuar mospranimin e kërkesës së shqiptarëve.

Kjo është sa qesharake aq e dëmshme për shqiptarët. Gruevski i cili gjatë qeverisjes së tij nuk ka realizuar asgjë nga Marrëveshja e Ohrit, (për disa shqiptarë e realizuar) në këtë rast vendos kufirin kushtimisht të quajmë të kërkesave legjitime.
Jo që nuk implementon asgjë ai tani na del me një qëndrim shumë të rreptë se nuk duhet kaluar kufiri i quajtur, Marrëveshje Kornizë e Ohrit.

Si duket ky kryeministër paska vendos një kufi që nuk duhet ta tejkalojnë shqiptarët. Atëherë sipas kësaj logjike, do të duhet që të pritet edhe 9 vjet tjera që të realizohet komplet marrëveshja e Ohrit. Do të jetë shumë për një njeri që edhe në vitin 2018 të jetë në krye të këtij shteti.

Pra, sipas kësaj vetëm në vitin 2019 do të duhet që shqiptarët të shtrojnë kërkesa të reja. Kësisoj deri në këtë vit do të duhet që shqiptarët të mbyten me atë se sa u implementua Marrëveshja e Ohrit. Ahmetit dhe Selmanit nuk u ngelet asgjë tjetër se përveç të jenë spektator në këto vite të ardhshme dhe të aplaudojnë për politikën e Gruevskit, i cili në stilin e diktatorit flet se kërkesat duhet të bazohen në këtë marrëveshje.

Në këtë kohë gjykoj se më së miri do të ishte revidimi i marrëveshjes së Ohrit, pasi që nëse Gruevski kërkon që të bëjë ndryshime kushtetuese atëherë edhe kjo marrëveshje do të duhet të pësojë ndryshime.

Nëse garant për ndryshimet e kushtetutës kanë qenë përfaqësuesit ndërkombëtar atëherë ata le të jenë sërish garantues të ndryshimit të Marrëveshjes së Ohrit. Nëse kjo duket e pamundur atëherë dy liderët që marrin pjesë në takimet famoze të Gruevskit duhet që të mos pajtohen me ndryshimet që pretendon ky kryeministër.

Lëshimi pe në këtë kohë do të thotë pasojë edhe pas 9 viteve tjera pasi që nëse ky kryeministër brenda këtyre viteve nuk realizoi asgjë nga marrëveshja e Ohrit atëherë pse të ketë arsye të bëjë diçka këtë vit apo vitet e ardhshme.

Gruevski në këtë rast çoi edhe një mesazh të fuqishëm tek të gjithë shqiptarët se nuk ka ndërmend asgjë të bëjë që Badenteri të jetë pjesë e gjyqësorit, atëherë edhe sa do të duhet që të presin ish pjesëmarrësit e konfliktit të viti 2001 që të vijë një ligj që do të barazonte ato me “branitellat” e famshëm.

Teza për ndryshime në Marrëveshjen e Ohrit është kundërshtuar edhe nga paria e partive shqiptare që janë në parlament. Qesharake! Kushtetuta mund të ndryshohet por Marrëveshja në Ohër jo. Kjo ka vetëm një sqarim, kjo pari frikësohet të iniciojë ndryshime në këtë marrëveshje e nuk ka frikë të pranojë ndryshime kushtetuese.

Është shumë normale që në praktikat e politikësbërjes mos pranohet por njëherësh duhet të dalin publikisht e tregojnë se s’kanë qenë të aftë ta zbatojnë deri në përpikëri e ku të hapin dilema dhe të bëjnë ndryshime tjera. Kufiri i Gruevskit e ka emrin Marrëveshja e Ohrit dhe sipas logjikës së thjeshtë shqiptarët duhet që edhe me vite, me dekada por edhe me shekuj të thirren në një Marrëveshje.

Qofshim me fat në të ardhmen e të nënshkruajmë ndonjë marrëveshje pakëz më të mirë se kjo e Ohrit.

(Autori është korrespodent gazetës “Koha” nga Tetova)

Exit mobile version